Ministri i Drejtësisë, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Ulsi Manja zhvilloi së bashku me kryetarin e bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu një vizitë në shkollën profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë.
Manja theksoi se kjo shkollë është një shembull i shkëlqyer i arsimit profesional në vend.
Në këtë shkollë përgatiten me aftësi konkrete për tregun e punës rreth 500 nxënës nga Lezha dhe qarqet përreth. Manja bëri të ditur se, me mbështetjen e buxhetit të shtetit, shkolla do të rikonstruktohet, dhe shumë shpejt do të krijohet Fondi Kombëtar për Arsimin Profesional.
“Arsimi profesional është e ardhmja, dhe ne jemi të përkushtuar për një arsim cilësor dhe modern për të gjithë”, nënvizoi Manja.
Manja shtoi se arsimi i mesëm profesional është në fokus të qeverisë.
“Sivjet ne do të çojmë në parlament edhe ndryshimet tek ligji i nxitjes së punësimit ku parashikohet krijimi i Fondit Kombëtar të Punësimit dhe këtu do të jenë kontributor bizneset sipas kuotave, që janë edhe përfituesit nga burimet njerëzore të arsimit profesional”, tha Manja.
Ai shtoi se, “krijimi i Fondit Kombëtar të Arsimit Profesional është një masë që shkon në drejtim të mbështetjes të arsimit profesional në Shqipëri. Kjo shumë shpejt, besoj brenda këtij sesioni do të jetë në parlament dhe do të jetë suport për arsimin profesional”.
Manja tha se, do të jenë 11 shkolla të mesme të arsimit profesional dhe qendra funksionale që përfitojnë nga rikonstruksioni.
“Shkolla e mesme profesionale këtu në Lezhë “Kolin Gjoka”, sigurisht me aktin normativ të buxhetit që ne miratuam javën që kaloi në parlament është edhe përfituese e rikonstruksionit, nëpërmjet buxhetit të shtetit. Do të jenë 11 shkolla të mesme të arsimit profesional dhe qendra funksionale që përfitojnë nga rikonstruksioni, por kjo shkollë është një nga përfituesit”, u shpreh më tej Manja.
Më tej Manja tha se, “shkolla “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen në 1 janar 2025 do të kalojë me financim tërësisht publik, pra do ta marrë shteti, por kurikulat dhe stafi dhe menaxhimi do të mbetet po i njëjti. Kush ka studiuar aty ka dalë ndër ekonomistët më të zotë”.