Teksa në Maqedoninë e Veriut vijon debati për Gjuhën Shqipe, studiuesit shqiptarë gjykojnë se nuk ka kthim pas sa i takon marrëveshjes mes dy vendeve për gjuhët.
Sipas Mustafa Ibrahimit, studiues i albanologjisë dhe dekan i universitetit “Nënë Terëza” të Shkupit Gjuha Shqipe flitet nga më shumë se 20% e popullsisë dhe partitë politike duhet të tregojnë përgjegjshmëri në rëndësinë që i takon kësaj çështje.
Albanologu shprehet: “Unë mendoj që Gjuha Shqipe do të zgjidhet përfundimisht atëherë kur do të hyjë në Kushtetutë së bashku me gjuhën maqedonase. Pra, duhet të hiqet 20% që është sot, jo të tërhiqen disa nene të tij, por unë mendoj që Gjuha Shqipe ka nevojë për avancim më tutje. Besoj se partitë politike do të jenë të kujdesshme dhe do të kenë vizion për të ardhmen e Maqedonisë. Gjuha Shqipe duhet të marrë atë që i takon si gjuhë zyrtare me status ekskluziv në Maqedoni.”
Debati për Gjuhën Shqipe në Maqedoninë e Veriut nisi pas një komenti të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese rreth mundësisë për shfuqizimin e “Ligjit për Gjuhët”.
Ligji për përdorimin e gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave ushtarake e policore maqedonase në vitin 2001.