Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një prononcim për gazetën “SOT”, Ngjela ‘parashikon fatin’ e Sali Berishës, ku ndonëse i shpallur “non-grata” nga Amerika, fat jo aq të mirë e pret edhe nga drejtësia e re shqiptare.
Teksa partitë politike po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025, Ngjela jep mesazhin e qartë se Berisha pas një kohe kaq të gjatë qëndrimi në “arrest shtëpie” me shumë gjasa nuk do të jetë më deputet.
Lëvizjet e Berishës
Vetëm dy ditë më parë Partia Demokratike zhvilloi një mbledhje ku caktoi dyshen Noka -Paloka, si drejtuesit politik të fushatave elektorale që do të mbajë opozita në 12 qarqet e vendit.
Ngjela, lëvizjet e ish-kryeministrit Sali Berisha me caktimin e dy drejtuesve politik, Noka-Paloka, e shikon si një reflektim nga ana e ‘non-gratës’ për shkak të “ditëve të zeza” që e presin në SPAK. Ngjela thotë se pikërisht dënimi penal nga drejtësia e re që mund të jepet pas kaq shumë muajsh qëndrimi nën masën e sigurisë së arrestit shtëpiak, e largon përfundimisht Berishën nga skena politike.
“Berisha po të jetë me aftësi pragmatike, ai duhet të kuptojë se edhe dënimi do ta godasë, pasi nuk besoj se do të marrë pafajësi pas gjithë kësaj kohëzgjatje të madhe në paraburgim. Dhe duhet të marrë masa për këtë problem, por me këtë lëvizje mbase ka filluar të reflektojë.
Çështja qëndron se dënimi i tij penal e heq nga politika, për aq kohë sa ai dënohet dhe më pas del dhe momenti i parashkrimit. Nëse Berisha dënohet, ai nuk mund të jetë më deputet”, shprehet Ngjela. Ndërkohë nga ana tjetër, në komentin e tij, avokati thotë se ligjërisht përsa kohë gjykata nuk ka dalë ende në një vendim përfundimtar të formës së prerë për Berishën, edhe pse vijon ‘paraburgimin’ nga banesa, Berisha mund të hedhë kandidaturën e tij për kryeministër për zgjedhjet parlamentare 2025.
E vetmja mënyrë që e nxjerr nga politika, sipas Ngjelës është goditja nga SPAK. “Nëse vijon të jetë i arrestuar ai është i lirë të hedh kandidaturën për kryeministër pasi ai vijon të prezumohet i pafajshëm, përsa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë.
Ai deri tani mund të kandidojë së bashku me politikanët e tjerë. Por nëse vendimi i Gjykatës kundër tij ka marrë vendimin e formës së prerë, ai nuk ka më asnjë shans, derisa të mbarojë dënimin dhe të fitojë dhe parashkrimin”, deklaron Ngjela.
Alibeaj “sfidon” Berishën me parti të re
Sakaq, avokati Spartak Ngjela ka komentuar edhe lëvizjen e fundit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ku ditët e fundit ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare 2025 do të vijë me një parti të re politike. Ngjela, këtë lëvizje nuk e konsideron si një goditje të hapur ndaj Sali Berishës, por si një fenomen politik normal dhe nuk ka pse të komentohet.
Gjithashtu, Ngjela edhe lëvizjen e Alibeajt me një parti të re opozitare, e sheh si të njëjtës frymë, si një gjë krejt normale në vendet e Evropës Perëndimore, si një lëvizje brenda normave të demokracisë.
“Berisha ka partinë e tij që nuk ia merr dot njeri dhe pse tentuan e nuk ia morën dot. Tani do të krijojnë parti të reja, e kjo është e të njëjtës frymë me një parti të re. Ky është fenomen politik, jo fenomen juridik. Kështu vepron politika në të gjithë Perëndimin, ndahet partia pasi dy veta grinden për postin, ku njëri ka shumicën dhe tjetri ka pakicën. Ai i pakicës, krijon parti të re. Kjo lëvizje e krijimit të një partie të re është brenda normave të demokracisë”, shprehet Ngjela.
Shitja e hidrocentraleve nga Berisha dhe shitja te KURUM
Nga ana tjetër, skandalin e KURUM me mbetjet toksike, Ngjela thotë se zanafillën e ka patur që me shitjen e hidrocentraleve dhe pasurive publike drejt privatit, nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha. Jo vetëm kaq, avokati thotë se nuk ngelen pas edhe kryeministrat apo politikanët e tjerë që kanë qeverisur Shqipërinë në 30 vitet e fundit.
Megjithatë, Ngjela thotë se pas gjithë veprimeve korruptive që janë bërë ndër vite dhe vijojnë të bëhen, kryeministrat mbeten politikanët më të mbrojtur pasi veprimet korruptive, i realizojnë vartësit e tyre si ministrat e deputetët.
“Që në shitjen e pasurive publike drejt kapitalit privat, gjithë korrupsioni shqiptar, pa përjashtim ka qenë i mbështetur në këtë lëvizje. Si e tillë nuk kemi pse i ndajmë. Por natyrisht që kryeministrat janë më të mbrojtur pasi nuk e kanë bërë ato por i kanë bërë ministrat e vartësit e tjerë të tyre. Ky është fenomen. Deri ne 85% të tyre janë brenda këtij koncepti korruptiv. Se çfarë do të bëj SPAK-u, nuk e dimë, pasi duhet t’i provojë SPAK-u”, përfundoi Ngjela.