Grupi parlamentar i Partisë Socialistë është mbledhur paraditen e së martës në selinë rozë. Gazetarja e ABC News, Fiona Xhafaj raportoi në një lidhje live se mbledhja ka zgjatur 30 minuta, ku janë diskutuar porositë e lëna nga kryeministri Edi Rama mbledhjen e djeshme dhe në asamble.
“Mbledhja ka nisur rreth 30 minuta më parë dhe sapo ka përfunduar. Ka qenë mbledhje e shkurtër e grupit parlamentar të PS-së një ditë pasi në kryesi u mblodhën anëtarët e rinj që u votuan në asamblenë e së dielës. Në këtë mbledhje janë diskutuar sërish porositë e kryeministrit Rama në mbledhjen e kryesisë pasdite dje. Është diskutuar edhe çështja e mandatit të Olta Xhaçkës dhe ajo e mbetjeve të Kurum”, raportoi gazetarja.
Një ditë më parë, kryeministri Rama mblodhi në selinë rosë kryesinë e re të partisë. Kjo erdhi vetëm një ditë pas mbajtjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku dhe u prezantuan 12 drejtuesit e partisë në qarqet e vendit.
Asambleja e Partisë Socialiste pasohet nga Kongresi dhe thirrja e vazhdueshme e rienergjizimit të socialistëve, duke njoftuar dhe krijimin e një strukture të re për të rinjtë që angazhohen në politikë.