Nga Nurie Emrullai/
Në ç’shtylla ndërtohet historia?
Ç’shtylla pasqyrojmë për të ardhmen?
Nuk e di nëse mund të jetë veç një rastësi, por sikundër na bërtitet se asgjë s’është rastësi, që në Librin e leximit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë nuk gjen dot një autore? Nuk gjen dot një histori frymëzimi ku gruaja paraqitet si guximtare, se triumfon në sfida, se arrin të bëhet dikush në jetë, se ëndërron…
Dhe ato pak histori që i kemi kanë të bëjnë se si Vajzën nuk e lënë ta marrë djalin që dashuron, se si e gruan e ndajnë nga djali i saj i vogël sepse ka qenë e përdhunuar (më thuaj cilët janë konceptet e sakta që t’u flasësh fëmijëve diçka të tillë dhe të mos u lësh gjurmë të shëmtuar në kujtesën e tyre), pastaj e kemi Kush punon hanë- morali i përrallës: Duhet të jesh e përgatitur për derë të huaj! E shembuj të këtillë po kaq banal janë të mbushur përplot këto libra leximi të cilët përsërisin veten për katër vite me radhë- duke përsëritur dhe gabimet që sigurisht janë bërë “pa dije”, për fëmijë që nuk kanë aftësinë të dallojnë të saktën nga e gabuara sepse përballen për herë të parë…
Ka autorë shqiptar të mrekullueshëm të cilët kanë krijuar letërsi për fëmijë, që i argërojnë ato, që ua nxisin kureshtjen për t’u thelluar në botën e fjalës, por për fat të keq…
Në letërsinë shqiptare ka dhe gra që kanë shkruar, por ja e lëmë letërsinë, ka gra që kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme, që ia kanë dalë, që kanë udhëhequr mbretëri.
Ku i kemi tekstet e këtilla?
Apo duhet mësuar:
djali e mëson se gruaja është viktima
vajza automatikisht e merr rolin e viktimës
E pranon rolin sepse i atillë qe edukimi dhe mësuesi/ja gjithë kohës i ka folur për këto raste- pra nuk qenke vetëm.
Është realisht vështirë të bësh përzgjedhjen e literaturës kur është një fushë e gjallë brenda materies së saj, por është shumë e thjeshtë për t’i dhënë fuqi mendjes dhe për të edukuar breza me vetëbesim në vete.
Më vjen realisht keq pse nxënësit duhet të përballen me këto histori që nuk u mësojnë asgjë në jetë. Pa mendoni pak…