Neokirurgu i njohur me origjinë shqiptare, Kita Sallabanda, ka rrëfyer për publikun historinë interesante se si ai u njoh me familjen mbretërorë spanjolle dhe se si mbajti kontakte me ta për një kohë të gjatë.
I ftuar në podkastin “Flasim’ ai tregoi se gjatë kohës kur ishte për specializim në Barcelonë, Princesha Cristina de Borbón, vajza e ish-Mbretit Juan Carlos I, kishte pësuar nje aksident natën që Sallabanda kishte rolin e mjekut roje. Ai ka rrëfyer se princesha e kishte dashur si mjekun e saj që në momentin e parë.
“Gjithë kohës më donte si mjekun e saj, kam qëndruar për një periudhë kohe si mjeku i Cristina. Një marrëdhënie shumë miqësore, ishte vajzë e mrekullueshme pavarësisht se ishte vajza e Mbretit, është motra e mbretit aktual.” tha neokirurgu.
Sallabanda tregoi se me familjen mbretërore të Spanjës ka pasur kontankte deri sa është rikthyer në vendin e tij, madje një kuriozitet që ai rrëfeu ishte se princesha Cristina i kishte dërguar një mesazh kur neokirurgu kishte mbërritur në Shqipëri.
“Kam mbajtur kontakte për njëfarë periudhë me familjen mbretërore. Princesha kishte një shoqen e vet dhe thoshte kontaktet do ti mbajmë përmes saj. Kur erdha në Shqipëri, më dërgon sërish mesazh më tha ‘Më bëhet qejfi që po kthehesh, po realizohesh’. Por më pas i humba kontaktet me familjen mbretërore, gjithë kolegët e mi në Spanjë e tregojnë në tavolina”, rrëfeu ai.
Kita Sallabanda, ka një histori të lidhur ngushtë me Spanjën, pasi nëna e tij ka lindur pikërisht në këtë shtet. Më pas gjatë luftërave, ajo ishte një prej fëmijëve që u ndanë nga familjet e tyre, për t’u dërguar në Rusi. Aty ku si studente u njoh me babanë e neurokirurgut, dhe zgjodhi të kalonte jetën pranë tij në Shqipëri. Sallabanda tregoi se e ëma i mbante lidhjet me familjen përmes letrave, dhe kur u rikthye në Spanjë për herë të parë pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri, gjeti gjallë vetëm babanë e saj, i cili festonte ditëlindjen e 100-të. Kjo lidhje e veçantë e ka bërë mjekun neurokirurg, që prej vitesh ta zhvendosë jetën dhe aktivitetin e tij në Spanjë.