Neriton Nallbati, Altin Mena dhe Skënder Hitaj janë 3 kandidatët për drejtues policie që janë vlerësuar me më shumë pikë në Komisionin e Posaçëm, që është ngritur në Ministrinë e Brendshme. Intervistat me 11 kandidatët u zhvilluan gjatë ditës së djeshme, ndërsa të premten pritet dhe zyrtarizimi i emrit të drejtuesit të ri të policisë së shtetit. Emri do ti dërgohet kryeministrit Edi Rama nga ministri i brendshëm Ervin Hoxha.
Altin Mena, aktualisht mban postin e nëndrejtorit të policisë së Lezhës, dhe nuk ka pasur më herët ndonjë detyrë në krye të komisariateve në vend. Megjithatë ditëve të fundit, emri i tij ka qenë mjaft i lakuar si kandidat potencial.
Neriton Nallbati ndërkohë mban postin e drejtorit të Policisë kriminale, dhe ka një karrierë më të gjatë në radhët e policisë së shtetit. Po ashtu ai është një ndër kandidatët më të akuzuar nga opozita, për lidhje me bandat kriminale, në kohën kur ka qenë kreu i komisariatit të policisë së Elbasanit.
Nga ana tjetër Skënder Hitaj mban postin e drejtorit të policisë së Durrësit. Komisioni i Posaçëm që intervistoi kandidatët përbëhej nga sekretarja e Ministrisë së Brendshme Suzana Hoxha, zëvendësministri Besfort Lamallari dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.