Rapa Nui, i njohur ndryshe si Ishulli i Pashkëve, i ka bërë shpesh kureshtarë studiuesit për shpopullimin e beftë pak para mbërritjes së europianëve në vitin 1722. Ishulli është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe është një nga zonat më të izoluara në juglindje të Oqeanit Paqësor.
Në të gjenden edhe sot rreth 1000 statuja monumentale, të cilat flasin për një popullsi të vendosur aty të paktën që nga viti 1200. Por sipas një studimi të ri, i ashtuquajturi kolaps dramatik i popullsisë në Ishullin e Pashkëve është i gjithi një mit.
Shpjegimi sipas të cilit popullsia u tkurr menjëherë për shkak të faktorëve mjedisorë për të arritur në vetëm 2000-3000 kur mbërritën europianët, nuk është asgjë më shumë se hamendje, sipas një studimi të ri të botuar në Science Advances.
Një ekip studiuesish përdori teknologjinë moderne për të vlerësuar saktë numrin e kopshteve shkëmbore në ishull, një tregues kryesor i numrit të njerëzve që jetonin atje, dhe gjetën një mbivlerësim bruto të popullsisë, duke arritur në përfundimin se ishulli “nuk mund t’i siguronte jetesën një popullsie aq të madhe sa ajo që është supozuar”.
“Tokat në Rapa Nui nuk kanë qenë kurrë veçanërisht produktive,” thotë Carl Lipo, profesor i antropologjisë dhe shkencës mjedisore në Universitetin Binghamton në Nju-Jork. “Kur njerëzit arritën në ishull, atyre iu desh të përballeshin me ato kufizime”.
Narrativa e mbajtur prej kohësh është se banorët origjinalë të Ishullit të Pashkëve u magjepsën aq shumë me statujat prej guri, saqë shkatërruan kapacitetet ekologjike të ishullit për të ndërtuar dhe jetuar për vete. Ky thjesht nuk është rasti, sipas raportit.
Njerëzit në fakt e modifikuan peizazhin për të rritur sasinë e asaj që mund të kultivonin intensivisht, dhe ky numër ishte ende shumë i vogël. Ky nuk është një shembull i katastrofës ekologjike, por i asaj se si njerëzit mbijetuan pavarësisht burimeve natyrore vërtet të kufizuara në një mënyrë mjaft të qëndrueshme për një kohë të gjatë.
Ishulli vullkanik besohet se u formua nga një shpërthim i hershëm, por ndërsa shiu largoi nga bimët kaliumin, fosforin dhe azotin e nevojshëm për t’u rritur, kripa e oqeanit e degradoi më tej pjellorinë e tokës. Banorët i prenë pemët e ishullit për t’i kthyer përkohësisht lëndët ushqyese në tokë, por kur pemët mbaruan, ata filluan të kompostonin mbetjet e bimëve.
Janë këto kopshte shkëmbore që mbajnë çelësin e historisë së ishullit. Hulumtimi i ri paraqiti imazhe satelitore me valë të shkurtra infra të kuqe për të dhënë një vlerësim më të saktë të këtyre sipërfaqeve, duke vlerësuar se rreth 180 hektarë ishin kopshte në të cilat ishte punuar. Ky është një numër shumë më i ulët se vlerësimet e mëparshme.
Shifra e përditësuar i lejoi ekipit të përllogarisë së afërsisht 3 000 njerëz jetonin në Rapa Nui në kohën e kontaktit evropian, gjë që përshtatet gjithashtu me artefaktet e zbuluara në ishull dhe vlerësimin që evropianët bënë në kohën e mbërritjes së tyre.
Studiuesit thonë se ideja e gabuar për popullsisë e madhe mund të vijë nga statujat e mëdha moai që kanë ndërtuar banorët e ishullit.