Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha është thirrur ditën e sotme në Komisionin e Sigurisë me kërkesë të deputetëve të Partisë Demokratike, ku ka raportuar për ngjarjet kriminale si dhe për garën e drejtuesit të policisë.
Hoxha tha se 4 kandidatë për kreun e ri të Policisë së Shtetit janë skualifikuar, ndërsa u shpreh se brenda kësaj jave do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili është i aftë për të fituar këtë garë.
“Unë ju bëra me dije procedurën, në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë. Procedura do të vazhdojë në ditët në vijim. I është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës. Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve komisioni do vlerësojë kandidatin dhe më vonë do vijojë intervistimin. Brenda kësaj javë ministri i Brendshëm do ti propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili do të jetë i aftë për ta fituar këtë gara”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Ministri Hoxha tha se është i pakënaqur me rezultatet e deritanishme të policisë, por theksoi se policia që ai ka gjetur kur mori detyrën, është e konsoliduar dhe profesionale.
“Nuk jam i kënaqur me rezultatet e deritanishme të policisë, por policia është na lartësinë e detyrës dhe do të përmirësohet në ditët në vijim. Kam gjetur një polici të konsoliduar e profesionale”-tha ministri.
Hoxha foli dhe për ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë verës, ku tha se kanë ndodhur 12 vrasje dhe janë zbardhur 10 prej tyre. Ministri foli edhe për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.
“Në 2024 janë regjistruar 28 vrajse nga 35 që kishte në 2023. Unë insistoj tju informoj për secilën ngjarje. Ngjarja e Fierit për motive të dobëta autori i arrestuar. Tropojë për motive të dobëta, autori i arrestuar. Ngjarja e Memaliajt, përçon te ne një alarm këmbane një vrasje që ndodhi në qytet. E gjithë policia është angazhuar në zbardhjen e plotë të saj. Autori ende i pa arrestuar. Tiranë 8 gusht 2024, në azilin e të moshuarve dyshohet se e ka goditur në kushte konflikti janë arrestuar dhe Pogradec, 3 shtetas të arrestur për pengimin e së të vërtetës. Veprimtaria e Policisë në këtë vendngjarje është brenda standardeve. Edhe ju tentuat ta manipuloni këtë situatë. Velipojë në një debat të momentit krijohet një konflikt, të arrestuar 2 shtetas në kërkim 2 të tjerë. Vijmë te ngjarja tjetër në Memaliaj për motive të dobta, janë arrestuar 4 persona dhe ngjarja është e zbardhur plotësish., tha Hoxha.