“Jeta e trajnerit është më e vështirë se ajo e futbollistit”, tha trajneri Silvinjo pak ditë më parë. Dhe e vërteta është se “malorja” për trajnerin nis tani
Braziliani duhet të konfirmohet si lokomotiva e një skuadre që ka pësuar ndryshime të mëdha, me lojtarë të rëndësishëm që kanë ndërruar klubet e tyre, por mbi të gjitha me futbollistë që ende nuk janë në formë.
Liga e Kombeve nuk është më e vështirë se europiani, por më e rrezikshme, për shkak të pritshmërive që janë krijuar pas pjesëmarrjes në euro 2024, por edhe me ndryshimet që kanë shkaktuar zhurmë.
Të lësh Muçin, Uzunin, Baren dhe Berishën jashtë, përveçse ul konkurrencën brenda ekipit, krijon edhe pasiguri te futbollistët e rëndësishëm.
Cikalleshi, Berisha dhe Gjasula mund të zëvendësohen teknikisht dhe alternativat cilësore nuk mungojnë, por në aspektin autoritar dhe personalitetit që shfaqnin në dhomat e zhveshjes, ata kanë lënë padyshim një boshllëk të madh.
Injorimi që i bëhet një futbollisti si Indrit Tuci, i cili po shkëlqen te Sparta e Pragës është gjithashtu një pikëpyetje e madhe në startin e këtij edicioni.
Dëmtimi i Ajetit, problemet fizike të Brojës, Pezullimi për dy ndeshje i Dakut, janë një tjetër sprovë për trajnerin kuqezi. Objektivi final i Silvinjos dhe i FSHF-së është që të kualifikohen në Botërorin e radhës, por Liga e Kombeve luan një rol të rëndësishëm jo vetëm për konsolidimin e skuadrës dhe zëvendësimin e disa shtyllave në ekip, por edhe për atmosferën që krijohet.