Mbrëmjen e së hënës, Alma Çupi bëri një deklaratë të pahijshme gjatë diskutimit në “Opinion” në Tv Klan. Ndërsa listonte pakënaqësitë e saj ndaj turizmit në Shqipëri, gazetarja e “Histori Shqiptare” tha:
Në çdo vend të botës ka plazh privat, plazh publik, plazh privat… ti nuk mund të më detyrosh mua që plazhin publik ta kem atje në të… si jevgjit.
Kjo deklaratë ka prekur dhe indinjuar komunitetin rome dhe egjiptiane, ndaj Çupi e ka ndier të nevojshme (siç është) të kërkojë ndjesë publike.
“Kërkoj ndjesë publike ku distancohem nga përdorimi i një fjale, e cila paragjykon haptazi dhe prek dinjitetin e personave të komunitetit rom dhe egjiptian. Nuk ka qenë qëllim fyerja dhe as diskriminimi. Unë si gazetare kam promovuar çdo komunitet për vlerat që kanë sjellë në turizëm dhe sidomos komunitetin rom dhe egjiptian.”
Gazetarja ka etiketuar në postimin e saj edhe Komisionerin për Mbrojtje ndaj Diskriminimit.
Por deklarata e saj nuk është pritur mirë nga një tjetër personazh i njohur. Rike Roçi ka reaguar ashpër duke kërkuar që shprehje të tilla raciste duhet të ndalojnë.
Njerëz që bëjnë si të kulturuar dhe në të vërtetë janë akoma injorantë. Boll me shprehje ofenduese, diskriminuese dhe raciste… nuk janë shprehje normale. Mos e kërkoni në Instagram se e mbylli nga turpi… Zonja gazetare të historisë… Se kur dilni jashtë Shqipërisë thoni nuk na duan, janë racistë për ne shqiptarët, ndërkohë jeni të parët që bëni diskriminim… nuk ka raca, por ka njerëz.