Një opercion ndërkombëtar është zhvilluar në disa shtete ndërsa janë lëshuar 61 masa arresti. Mësohet se shtetet ku shtrihet ky operacion janë në Itali, Shqipëri, Zvicër dhe Poloni. Më tej raportohet se ky operacion vjen pas një hetimi të gjatë dhe koordinimit mes autoriteteve ligjzbatuese italiane, me Europol, Eurojust, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, dhe forcave policore shqiptare, polake dhe zvicerane.
Personat janë nën hetim për krijimin e një organizate kriminale me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës, e cila dyshohet se ka pastruar edhe fitimet nga aktiviteti i paligjshëm. Organizata dyshohet se ka pastruar fitimet e paligjshme përmes një sistemi të provuar të “faturave për operacione joekzistente”. Ndaj personave nën hetim janë lëshuar urdhra për sekuestrim parandalues, me qëllim konfiskimin e pasurive me vlerën totale mbi 60 milionë euro, si produkte të veprave kriminale. Detaje të tjera pritet të bëhen të ditura në orët në vijim.