Nga Klevis Bakillari/
Opozita demokrate, e mpleksur në rrjetën e Drejtësisë dhe e kompleksuar në çarkun e pasurisë, po ua moleps mendjen popullit me prezumim të pafajësisë. S’ka popull pa ndërgjegjie, sado t’i injektosh mpirje prej vampiri mediatik. Kjo strategji ashtu siç ishte fshehja e komandës mbi PD tek një ish kryetar asimptomatik, ngjajnë si dy pika helmi. Gënjeshtra hundën e ka të gjatë, por këmbët i ka të shkurtra!
Viti 2025 do t’i japi PD-së atë rezultat që meriton PD-ja . Rezultati është verifikim i veprimeve!
PD braktisi parlamentin dhe funksionet kushtetuese të përfaqësimit.
PD bojkotoi zgjedhjet lokale dhe humbi pastaj në mënyrë të pakthyeshme bastionet e veta.
PD braktisi komisione ligjore dhe lejoi vigjilente, ndryshimin e ligjit zgjedhor, sipas tekave të kundërshtarit politik.
PD bllokoi proçeset demoktratike të jetës së brendshme dhe prodhoi ‘big bang partiak’ ndërmjet demokratëve autoritar dhe demokratëve liberal.
Zgjedhjet 2025 jo vetëm që s’do sjellin fitore, por do të jenë datë-skadenca e gënjeshtrës më të madhe se duan të mundin Qeverinë e majtë. Nëse PS e ka tashmë monopol fitoren e zgjedhjeve, PD e ka monopol sundimin e opozitës. Sa më shumë qëndron PS në pushtet aq më shumë fuqizon PD pushtetin mbi opozitën. Për t’i mbijetuar Drejtësisë! Ky korrelacion klinik s’është shpikur ende në asnjë republikë të botës.
Gënjeshtra, ashtu si vaji që sado ta përziesh, herët a vonë del ne sipërfaqe, do zhvishet në 2025. Ajo do të jetë pranvera e vajit demokrat dhe njëkohësisht pranvera opozitare. Sepse opozita reale shqiptare, duhet të kuptohet, se vjen në pushtet vetëm duke ikur!