DURRËS – Ministri i Integrimit, Hoxha, zhvilloi një takim me studentë dhe nxënës në qytetin e Durrësit, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të të rinjve në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në kuadër të turit “BE dhe Ti: Europa Fillon Këtu”, ministri Hoxha së bashku me kolegen APirdeni u takuan me të rinjtë e Gjimnazit “Naim Frashëri” dhe studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Gjatë takimit, studentët shprehën pyetje dhe ide mbi reformat e pritshmëritë për Shqipërinë në BE, si dhe rolin që mund të luajnë ata në ndërtimin e një shoqërie moderne dhe europiane.

“Diskutimet me të rinjtë janë gjithmonë frymëzuese. Pyetjet e tyre të menduara treguan pjekuri, qartësi dhe ambicie,” u shpreh ministri Hoxha në një postim në X, duke theksuar se energjia dhe vizioni i të rinjve është një garanci për të ardhmen europiane të vendit.

Takimi në Durrës konfirmoi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pandashme nga angazhimi dhe pjesëmarrja aktive e brezit të ri, një element kyç për avancimin e reformave dhe konsolidimin e imazhit ndërkombëtar të vendit.