Nga Xhensil Shkëmbi
Teksa dilja nga plazhi në Parga dëgjoj një burrë që bërtiste shqip në telefon ndërsa me pushuesit fliste qetë greqisht. Do jetë ndonjë emigrant që punon këtu, mendova. Rastësia bëri ta takoja pas disa minutash pasi punonte në sportet ujore.
Filloj direkt shqip unë
Si e ke emrin?
-Pavllo më quajnë. Shqiptarë qenkeni ju?
Po po, nga Korça vijmë. Ti nga je?
-Unë nga këtu, në Parga jetoj
Si nga këtu? Po gjuhën shqipe ku e di?
-Ma ka mësuar nëna. Fliste shqip. Edhe babai.
Pra, je shqiptar?
-Jo unë jam grek.
Po nëna çfarë theshte? Shqiptare apo greke ishte?
-Nëna thoshte që ishte shqiptare. Babaj nuk e përmendte shumë
Po ti ç’ne grek?
-Unë këtu u linda dhe u rrita. Grek jam.
Po gjuhën shqipe e flet shpesh? (nuk i tregova që e dëgjova duke bërtitur shqip)
-Vetëm me familjen.
Kujt po i bërtisje në mëngjes shqip? – e pyes duke qeshur
-Kur jam me nerva, i bërtas gruas shqip. Kur unë flas shqip, ajo e di që jam shumë serioz. Nuk ishin ngritur fëmijët nga gjumi. Duhet të më ndihmojnë këtu.
Hajde të të ndihmoj ca unë me këtë varkën atëherë. Vazhdo bërtiti gruas, shqip, se shqipja është me burrërore.
Qeshim të dy…
Mu kujtua një poezi e Bilal Xhaferrit
Mbesën më të vogël e quajnë Stela
Nipi mban emrin krenar Ilir
Në kohën tonë ne s’vinim kësi emra
Po tani kohë e re emra të rinj
Vetëm bëj çudi si s’më është kujtuar:
Kishim në Çamëri dhe një copëz tokë te sheklgulet
Dhe një krua tek pylli që rridhte si rrungala
Si s’më është kujtuar, një nipi a një mbese
T’i vinja emrin e tokës, emrin e kroit t’i vinja!/