Kur Sali Berisha u shpall “Non grata” dhe u pezullua nga grupi parlamentar i PD, Luan Baçi ishte nga të parët që iu bashkua.
Ambicia e madhe e ish-zyrtarit lokal të vogël, e kishte bërë që të mos e duronte dot mbi krye Enkelejd Alibeajn dhe, duke iu bashkuar Berishës, të provonte fatin nga “kaposh shqerak” të shndërrohej në “kaposh deti” në politikën e trazuar shqiptare.
Ashtu ia bëri, duke mos kursyer asgjë dhe askënd. Ashtu si në 2017 nuk kurseu asnjë prej kundërshtarëve të Bashës, të njëjtën gjë bëri edhe me kundërshtarët e Berishës. Sigurisht një prej të shigjetuarëve të tij ishte edhe Gazment Bardhi.
Mirëpo, koha rodhi dhe muajt sollën atë që Baçi nuk e kishte menduar kurrë duke shprehur një besim të verbër te Berisha. Madje, kur emërimi i Bardhit përflitej në media, Baçi nuk ngurroi të shprehej më media se ai nuk pranonte të dëgjonte dhe të fliste me askënd përveçse me Berishën. Kjo foto e shkrepur në një takim të Bardhit dhe Baçit në Fier flet më shumë se çdo fjalë tjetër.
Me imazhin e Berishës mbi krye, që me sa duket po e thotë fjalën e tij për Baçin dhe Bardhin, këtë të fundit me një nënqeshje tipike nën buzë dhe me Baçin me kokën “e prerë” për të mos arritur të bëhej asnjëherë shef i madh, pavarësisht përpjekjeve.
Gjithsesi, Berisha mbi krye flet më shumë se gjithçka tjetër. Ai duket se e frymëzon Baçin për t’i kujtuar primaret dhe kërkesën për të futur në primare edhe Gazment Bardhin. “Aty ta shohë Bardhi me shokë sa i vlen lëkura”, mendon me vete Baçi, pa e ditur se çfarë mendon fotoja që ka mbi krye.