Prokuroria e Durrësit ka zbuluar se sasitë e mbetjeve që u eksportuan nga kompania “Sokolaj shpk” drejt Tajlandës janë trasportuar nga kompania “Kurum” nga Elbasani deri në portin e Durrësit. Transporti është bërë nga “Kurum” në respekt të marrëveshjes që dy kompanitë kishin lidhur me njëra-tjetrën. Pasi është dërguar në portin e Durrësit, mbetjet më pas janë depozituar në kalatën që menaxhohej nga kompania gjermane “EMS” për t’u nisur në Tajlandë.
Mbetjet toksike, të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës po hetohen nga autoritet shqiptare bashkë me OLAF. Mbetjet u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike, më pas, i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’. Më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.
Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga “Kurum-i” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët.