Arbenita, vajza e Afrim Bunjakut, ka thënë se për familjen Bunjaku asgjë nuk e zë vendin e heroit të Kosovës që ra në detyrë vitin e kaluar më 24 shtator derisa ishte në krye të detyrës.
Në akademinë përkujtimore të babait të saj, ajo ka theksuar se amanet për familjen Bunjaku janë përkushtimi dhe dashuria për atdhe.
“Është e vështirë t’i imagjinosh ëndrrat e fëmijës kur i mungon krahu më i fortë që është babai e vështirë të vazhdohet jeta pa praninë e tij. Krenaria që kemi për babanë na bënë të vazhdojmë për para”.
“Duke kujtuar që u bë hero për vendin tonë ku dashuria dhe përkushtimi për atdheun janë amanet për ne”, ka thënë Arbenita.
“Një vit pa ty babi, mungesë që asgjë nuk e mbush boshllëkun që ke lënë brenda nesh, ishte dhe do të mbetesh krenaria e familjes dhe shtetit tonë”, ka thënë ajo.
Afrim Bunjaku u vra në krye të detyrës nga terroristë serbë të cilët sulmuan me armatime të rënda me qëllim destabilizimin dhe pushtimin e fshatit Banjskë në Kosovë. Ata udhëhiqeshin nga Milan Radoiçiç dhe kishin mbështetje nga Beogradi zyrtar, siç kanë zbuluar raportimet e mediave në Kosovë.