Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës Çeke, rezident në Shqipëri, Pavel Vacek
Presidenti i Republikës i uroi mirëseardhjen Ambasadorit të ri dhe vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në takim, Presidenti shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke drejt perspektivës së Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi se intensifikimi i marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe do të çojnë në një nivel më të lartë bashkëpunimin midis dy vendeve.
Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit në fushat ku tashmë kemi një traditë shumë të mirë, sikundër është ajo e punëve të brendshme, ku Kreu i Shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë angazhimin e Republikës Çeke në misionin FRONTEX në Shqipëri, në mbështetjen e Policisë Rrugore dhe në modernizimin e Institutit të Policisë Shkencore.
“Ne jemi të gatshëm”, – u shpreh Presidenti i Republikës Bajram Begaj, – për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomike me interes të ndërsjellë, sikundër edhe marrëdhëniet në fushën e arsimit dhe kulturës, ku ende ka shumë mundësi të paeksploruara”.
Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim të parë më Ambasadorin Vacek për të falënderuar Republikën Çeke që gjatë Presidencës së saj së BE-së u mor vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si edhe për vullnetin e mirë të qeverisë çeke për ngritjen e nivelit të përfaqësimin diplomatik në Kosovë, në nivel ambasadori.