Transformimi i institucioneve të përkujdesit shoqëror në Qendra të Shërbimeve Sociale për fëmijët dhe familjet e tyre është qëllimi kryesor i procesit të deinstitucionalizimit në Shqipëri, për përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara duke siguruar interesin më të lartë të fëmijës.
Në kuadër të këtij procesi, bazuar në modelet më të mira ndërkombëtare, u mbajt sot aktiviteti “Kujdes për çdo Fëmijë dhe Familje” organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNICEF me pjesëmarrjen e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato,Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin, përfaqësues të institucioneve të kujdesit social dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, nga pushtetit vendor e shoqëria civile.
Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi se “deinstitucionalizimi nuk është një angazhim i thjeshtë politik, por një sipërmarrje e madhe kombëtare; një besëlidhje për një të ardhme shumë më të mirë për të gjithë të miturit e familjet që fati apo rrethanat i kanë vendosur në kushte të pafavorshme”.
“Në politikat tona sociale, solidariteti do të thotë një shoqëri ku diferencën nuk e bën privilegji në lindje, por vetëm puna dhe talenti. Do të thotë mundësi të barabarta për të gjithë, edhe për ata që kanë më shumë nevojë për mbrojtje. Prandaj, besoj sinqerisht dhe fuqimisht, se reforma e deinstitucionalizimit është një prej reformave më europiane të ndërmarrë ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar”, u shpreh Koçiu.
Ministrja solli në vëmendje pilotimin e suksesshëm të këtij modeli në institucionet e përkujdesit shoqëror për fëmijë në dy bashki të vendit, në Vlorë dhe Korçë.
“Është dashur shumë punë, pikë së pari për të ndryshuar njëmendësi dhe qasje shumëvjeçare. Por, ia kemi dalë mbanë të pilotojmë me sukses reformën e deinstitucionalizimit, që promovon vendosjen e atyre që kanë nevojë për mbështetje në një mjedis të ndërtuar i gjithi për rreth tyre, e që është dizenjuar posaçërisht për t’i ndihmuar. Në Vlorë dhe në Korçë, në vatrat e para të pilotimit të këtij modeli kemi pasur rezultate të shkëlqyera”, nënvizoi ajo.
Koçiu shtoi se “fokusi ynë nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht largimi i fëmijëve nga institucionet rezidenciale si një qëllim në vetvete. Kjo duhet të vijë si një zgjedhje e qartë, e bazuar mbi logjikën e prioritizimit të nevojave të fëmijës e familjes dhe si pjesë e mbështetjes së gjithëanshme komunitare që vendoset në veprim dhe në funksion të atyre që kanë nevojë për mbështetje”.
“ Është misioni ynë numër një i kësaj Ministrie që të bëjmë të mundur që kjo e ardhme të vijë si një paketë ëndrrash dhe mundësish për të gjithë të vegjlit, pa dallim. Unë besoj me forcë se ndërtimi i një shoqërie ku diferencën e bën talenti dhe puna, e jo statusi apo privilegji nuk është një utopi, nuk është e pamundur. Por, nga ana tjetër, e gjithë puna që kemi nisur mund të realizohet shumë më thjeshtë dhe më shpejt nëse bëjmë bashkë të gjithë aktorët, duke përfshirë shoqërinë civile, komunitetet lokale, OJQ-të, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato tha se “çdo fëmijë ka të drejtën të rritet në një mjedis të lumtur, të dashur dhe të qëndrueshëm. BE-ja ka mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për ta bërë deinstitucionalizimin një prioritet. Qëllimi është të sigurohet që çdo fëmijë mund të gëzojë një standard jetese që është adekuat për zhvillimin e tij fizik, mendor dhe social, duke ofruar shërbime sociale të bazuara në komunitet dhe të fokusuara tek fëmijët. BE-ja ka kushtuar një program prej 70 milionë eurosh për përfshirjen sociale në Shqipëri, për të siguruar që askush të mos mbetet mbrapa ndërkohë që vendi bëhet gati pranimin në BE. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në ndërtimin e një të ardhmeje ku të gjithë fëmijët rriten në një mjedis të sigurt, të kujdesshëm dhe të kujdesshëm”.
Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin u shpreh se “institucionalizimi dhe ndarja e familjes kanë ndikime negative të mirëdokumentuara në shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Në nivel rajonal, UNICEF-i i ka dhënë prioritet Reformës së Kujdesit si një nismë kryesore në mbrojtjen e fëmijëve”.
“Fuqizimi i familjeve siguron që fëmijët të marrin kujdesin dhe mundësitë që u nevojiten për të lulëzuar, gjë që kërkon një përpjekje kolektive nga qeveria, shoqëria civile, komunitetet dhe partnerët. UNICEF-i mbështet Qeverinë Shqiptare në prezantimin e Garancisë Evropiane për Fëmijët për të siguruar që të gjithë fëmijët, veçanërisht ata në rrezik, të kenë akses në shërbimet thelbësore”, u shpreh Sahin
Procesi i deinstitucionalizimit, pjesë e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024–2030 ka si qëllim transformimin e shërbimeve të kujdesit rezidencial në shërbime me bazë komunitare, fuqizimin e familjeve në rrezik ndarjeje, me qëllim parandalimin dhe jo institucionalizimin. Gjithashtu, në fokus të kësaj reforme është zgjerim i rrjetit të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për persona me aftësi të kufizuara, që jetojnë në institucione rezidenciale, ose në rrezik institucionalizimi si dhe nxitja dhe mbështetja e shërbimeve në familje për të gjitha kategoritë e rrezikuara.