Nuk është e vërtetë ajo që Sali Berisha dhe familja e tij pretendojnë se kur ishte kryeministër, vjehrri i Jamarber Malltezit nuk është marrë kurrë personalisht me procedurën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në interes të dhëndrit. Mes provave në duart e SPAK-ut është në fakt procesverbali i mbledhjes së Këshillit të ministrave të mbajtur më 18.06.2008 në të cilin diskutohet edhe për fatin e kompleksit sportiv Partizani dhe Berisha që drejton mbledhjen nuk ka asnjë dyshim: I duhet dhënë pronarëve.

Tema e asaj mbledhjeje ishte miratimi i një ndryshimi që do t’i bëhej urgjent nenit 31 të ligjit për Sportin për t’u dhënë pronarëve të truallit të objekteve sportive të drejtën e privatizimit të objekteve, duke lejuar ndryshimin e destinacionit: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni” ishte teksti i amendamentit që do të miratohej. Pikërisht amendamenti që i duhej Jamarbër Malltezit dhe pronarëve të tjerë, të cilët sipas ligjit në fuqi deri në atë moment, nuk do të kishin mundur të privatizonin Kompleksin Partizani për të ndërtuar 19 kullat që kishin planifikuar mbi të, por do t’i merrnin vetëm si një koncesion duke ruajtur objektet sportive ekzistuese.

Në fakt vetëm 8 muaj para këtij amendamenti, ministri i Sportit Ylli Pango kishte propozuar dhe miratuar një tjetër amendament (i cili i kishte shpëtuar dukshëm kontrollit të Berishës) dhe që parashikonte për objektet sportive vetëm mundësinë e dhënies me koncesion, por pa ndryshuar destinacionin. Një amendament që e bënte të pamundur realizimin e projektit të pasurive të paluajtshme të Jamarber Malltezit dhe Fatmir Bektashi mbri truallin e klubit sportiv Partizani. Kjo është arsyeja pse më 18 qershor 2008, teksti i korrigjuar i mbështetur nga Sali Berisha, kthehet në Këshillin e Ministrave, dhe për këtë SPAK e konsideron procesverbalin e asaj seance një nga provat e korrupsionit të tij. Aq më tepër që vendosmëria dhe zemërimi me të cilin kryeministri mbështet atë korrigjim të ri të ligjit për sportin, ishte edhe një urdhër i qartë i dëgjuar nga të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhjen e bordit që të mos pengojë në asnjë mënyrë projektin e privatizimit të dhëndrit të tij për Kompleksi sportiv Partizan.

Mbledhje e qeverise u zhvillua në qershor të vitit 2008 kur Jamarber Malltezi kishte nënshkruar tashmë marrëveshjen me ndërtuesin Fatmir Bektashi për pjesëmarrje në ndërtimin e kullave edhe si investitor dhe jo thjesht si pronar i një trualli të vogël prej 400 metrash katrorë, siç ka pretenduar për një kohë të gjatë familja Berisha. ”Jamarber ishte një përfitues minimal nga procesi i privatizimit pasi ishte vetëm një nga qindra pronaret” kane ripërsëritur si alibi familja Berisha. Në fakt në fund të të gjithë procesit, Jamarber Mallltezi (i cili bleu të paktën 2150 metra tokë te tjera nga ish-pronarët qe për shkak te ligjit dhe situatës në terren – siç ka pranuar Argita Berisha – e konsiderojnë të pamundur privatizimin e Kompleksit) do te rezultojë pronar i pothuajse 50% të të gjithë investimit, duke fituar gati 6 milionë euro sipas SPAK. Një fitim i pamundur nëse Berisha dhe qeveria e tij nuk do të kishin modifikuar kuadrin ligjor për të arritur kthimin e tokave dhe privatizimin e kompleksit Partizani, duke përfshirë mundësinë e ndërtimit mbi të.

Kur në mëngjesin e datës 18.06.2008 kryesoi atë mbledhje të Këshillit të Ministrave, Sali Berisha nuk mund të mos ishte dijeni për projektin e pasurive të paluajtshme të dhëndrit të tij mbi trualli e Kompleski Partizani te filluar qe nga fundit e 2005, duke qenë se çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, siç i tha së fundmi Argita Berisha Adi Krastës në televizionin e familjes, Saliu thërret të gjithë familjen për të diskutuar problemet e përbashkëta, me një disiplinë që ajo vetë e përkufizoi si “pothuajse ushtarake”. Dhe pikërisht me tone ushtarake Sali Berisha drejton atë mbledhje të Këshillit të Ministrave gjatë së cilës lëshon hapur urdhrin e tij për privatizimin e tokës së kompleksit Partizani, duke shtuar se është gati të eliminojë stadiumet e tjera nga qyteti me qëllim që t’ua kthejë tokat të gjithë ish-pronarëve.

Procesverbali i asaj mbledhjeje të qeverisë përgënjeshtron për herë të parë qartë dy deklarata me të cilat Sali Berisha u përpoq të distancohej nga ajo që ai e kuptoi dukshëm si një akt qeveritar kompromentues. Menjëherë pas arrestimit te dhëndrit, Berisha tha se SPAK e kishte manipuluar interpretimin dhe se ky amendament i nenit 31 për ligjin e Sportit konfirmonte detyrimin edhe për pronarëve ta respektojne përdorimin sportiv të objekteve. Në korrik 2008 kur votoi amendamentin gjate seancës publike ne Parlament, Berisha debatoi me deputetin socialist Erjon Braçe, i cili argumentoi se me atë formulim do të hapte shkatërrimin e të gjitha ambienteve sportive, përfshirë edhe Klub Partizani. Dhe Berisha kishte një tjetër qëndrim nga ajo qe ka paraqitur tani:

Braçe: Pra kushtin që të mos ndryshojë destinacioni ju e futni në këtë nen vetëm për shoqëritë aksionere apo për klubet, dhe mirë bëni. Por ç’ndodh në rastin kur ka ish-pronarë? E mori pronën pronari, shumë mirë, ia dhatë këtë të drejtë, por pse nuk vendosni kushtin, që normalisht kjo pronë të mos tjetërsohet? Prandaj, zoti Kryeministër, thashë pak më parë që ky nen nuk ka lidhje me sportin. Ky nen ka lidhje me trojet dhe ky është një problem shumë i madh.

Kryeministri Sali Berisha: Do të përgjigjem në mënyrë shumë të thjeshtë. Se çfarë do të bëjnë pronarët, të jesh i bindur që Qeveria ka zero tagër në Tiranë. Qeveria e Tiranës jeni ju dhe është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Të nderuar zotërinj, se çfarë do të bëjnë pronarët me territorin e tyre, e ka në dorë Bashkia e Tiranës dhe pronari, jo Qeveria. Në fakt, ju e keni shënjestrën tjetërkund, jo tek unë. Është puna juaj.

Një qëndrim prap krejtësisht i ndryshëm nga ai që Sali Berisha kishte shprehur vetëm pak ditë më parë në sekretin e mbledhjes së Këshillit të ministrave:

Sali Berisha: Kur ka pronarë sigurisht që privatizohet (…) Po t’i them unë pronarit se do ta mbash ti këtë për sport, unë them para teje. Këtë i them, po se çfarë bën ai, atëherë nuk më intereson më.

Ekrem Spahia: Nëse do kemi procedurat e sakta, besoj se edhe këto terrene sportive asgjësohen. Kam parasysh që disa gjëra, ambientet përtej stadiumit ose përballë stadiumit Selman Stërmasi, mbrapa stadiumit Qemal Stafa, Klubit Partizani dhe klubit Dinamo.

Sali Berisha: Që të gjitha t’i marrin pronarët. Nuk ekzistojnë më stadiume brenda qyteteve si në Tiranë!

U deshën 16 vjet dhe hetimi i SPAK-ut, por të paktën në këtë pasazh të historisë Partizani tashmë është bërë e qartë: Sali Berisha jo vetëm ishte i përfshirë personalisht, por ishte plotësisht dakord që në vend të objekteve sportive pronarët e tokave mund të ndërtonin pallate. Sidomos të dhëndrit të tij. Pavarësisht nga mundësitë e sigurura nga Ligji për Sportet, kur tashme kishin fituar zgjedhjet e majit 2011, destinacioni i përdorimit të atyre terreneve sportive u modifikua përfundimisht edhe nga Bashkia dhe nga KRRTRSH. Por jo kur ishte kryetar bashkie Edi Rama siç pretendojnë Saliu dhe Abi, por në 2013 kur ishte kryebashkiak Lulzim Basha.

Plani i tij urbanistik, që modifikoi pjesërisht projektin të Urbaplan të Edi Ramës që nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi pasi Berisha si kryetar i KRTRSH nuk e firmosi kurrë, u votua ne Këshillin Bashkiak te 2012 vetëm nga Partia Demokratike dhe më pas u ratifikua nga Sali Berisha si kryetari i KRTRSH. Terrenet sportive të Klubit Partizani tashmë të privatizuara edhe nga familja Berisha-Malltezi, u bënë të gjitha të ndërtueshme. Rruga për ndërtimin e 19 kullave në vend të fushave të sportit, pistave të vrapit, palestrave dhe pishinës, ishte përfundimisht e hapur edhe nëpërmjet amendimit te ligjit per Sportin. Ndryshimet ligjiore u firmosën nga Sali Berisha. Konsulent për planin rregullues për Bashkinë e Tiranës të kryesuar nga Lulzim Basha qe i hapi rrugën investimit kolosal, ishte vetë investitori Jamarbër Malltezi. Ndertuesi Fatmir Bektashi falenderoi. (Shqiptarja.com)