Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i është përgjigjur SHBA e BE, të cilat reaguan ashpër pas vendimit të PS për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të dërguar për verifikimin mandatin e Olta Xhaçkës. Në një reagim në platformën ‘X’, Spiropali nënvizon se i është drejtuar Komisionit të Venecias dhe sapo të marrin opinionin prej tij do të veprojnë pa humbur asnjë ditë kohë.
“Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, shkruan Spiropali.