Pas publikimit të skandalit të shitjes së diplomave false, Këshilli i Ministrave njofton se është marrë vendimi për të mbyllur veprimtarinë e Kolegjit Universitar “Wisdom”.
Kujtojmë se një denoncim nga një student italian në prokurorinë e Tranit në Bari të Italisë çoi në zbulimin e një skeme të vërtetë kriminale që lëshonte diploma, tituj specializimesh dhe certifikata të falsifikuara.
Nga operacioni i policisë italiane në atë kohë përfunduan në pranga 9 persona me akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh, korrupsion dhe pastrim parash.
V E N D I M PËR MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË KOLEGJIT UNIVERSITAR “WISDOM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “l”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Mbylljen e veprimtarisë së kolegjit universitar “Wisdom”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
Kolegji universitar “Wisdom” ka këto detyrime:
a) Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara;
b) Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;
ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.
dh) Të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.
Vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.
Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar “Wisdom”, në zbatim të këtij vendimi, përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik që e përfaqëson.
Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kolegji universitar “Wisdom”/personi juridik “Wisdom”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU