Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka ndërruar jetë sot, pas një arresti kardiak. Edhe pse tentuan që t’i japin ndihmën e parë, 45-vjeçari mbërriti në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Teresa” pa shenja jete. Pas shpërndarjes së lajmit, menjëherë kanë nisur reagimet dhe ngushëllimet që kanë shpërndarë kolegët e tij në rrjetet sociale. Ndër politikanët që kanë reaguar për ndarjen e tij nga jeta janë kryeministri Edi Rama; ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe shumë kolegë të Partisë Demokratike dhe jo vetëm.
Edi Rama: Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani
Lulzim Basha: Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe. Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit. Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!
Ilir Meta: Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Edlira, dy vajzave të tij, të afërmve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për këtë humbje të pazëvendësueshme. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe!
Belind Këlliçi: Jam sinqerisht pa fjalë…! Ikja e parakohshme e një djali si Gerti, është një humbje e pazëvendësueshme jo vetëm për familjen e tij biologjike, por edhe për PD, familjen e tij politike dhe krejt shoqërinë tonë! Gerti ishte një familjar, politikan dhe qytetar 24 karatësh! Tirana sot humbi një djalë model! Qofsh i Parajsës Gert!
Elisa Spiropali: Dhimbje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani… Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti
Abi Malltezi: Njeriu i mire, shoku i kendshem, tironsi i qeshur, Gerdi Bogdani nderroi jete. Zoti e bekofte me xhenet! Zoti i dhente force familjes! Do e kujtojme gjithnje keshtu te qeshur shpirtmirin!
Adriatik Lapaj: Sot, miku im Gerti Bogdani ka ndërruar jetë! Lutem për shpirtin e tij! Sot Edlira dhe dy fëmijët e tyre humbën babain e shkëlqyer të familjes! Zoti u dhëntë durim e forcë!
Gert Bogdani ka ndërruar jetë papritur mesditen e kësaj të mërkure. Nga të dhënat e para mësohet se shkak është bërë një arrest kardiak. Ai ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare. Gerti Bogdani, i lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë, ishte një politikan mjaft i njohur shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.