Nga Jetmira Delia-Kaci REL
Në fillim të shtatorit, një 14-vjeçare solli në jetë fëmijën e saj në maternitetin e Korçës në juglindje të Shqipërisë.
Bashkëshorti i saj, 21 vjeç, u arrestua për veprën penale “marrëdhënie seksuale me të mitur”.
E mitura që u bë nënë, i përket komunitetit rom.
Ajo u tha mediave në Shqipëri se është martuar para një viti e gjysmë dhe kërkoi lirimin e bashkëshortit, duke thënë se është personi i vetëm që i sjell të ardhura për rritjen e foshnjës së sapolindur.
Prindërit e së miturës kërkuan, po ashtu, lirimin e 21-vjeçarit dhe thanë se vajza e tyre është martuar me dëshirë.
Nëna e 14-vjeçares u tha mediave se martesa në moshë të hershme është normale në komunitetin e tyre, duke treguar se vetë është martuar që 12 vjeçe.
Me të gjitha konventat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, martesat e hershme konsiderohen dhunë me bazë gjinore dhe shkelje e të drejtave të tyre.
Me ligjin në Shqipëri, martesë mund të lidhë çdo person që e ka kaluar moshën 18 vjeçe.
Megjithatë, gjykata e vendit ku lidhet martesa, “për shkaqe me rëndësi”, mund të lejojë martesë edhe përpara kësaj moshe.
REL-i mori vesh se avokati i bashkëshortit të 14-vjeçares ka kërkuar leje që klienti i tij dhe e mitura të paraqiten në gjykatë për të ligjëruar martesën e tyre.
Çështja e martesave të hershme në Shqipëri përmendet edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, për vitin 2023.
Aty thuhet se “legjislacioni nuk parashikon masa për të parandaluar martesën e fëmijëve”.
Raporti citon Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve të ketë thënë se “martesa e detyruar ose e hershme nuk është një problem i përhapur në Shqipëri, megjithëse më i zakonshëm në komunitetet rome dhe ballkano-egjiptiane”.
Instituti i statistikave në Shqipëri, Instat, disponon të dhëna për martesat për vitin 2022 dhe, sipas tyre, atë vit janë lidhur mbi 18.000 martesa, por asnjë nën moshën 18-vjeçare.
Emiljano Aliu, drejtues i organizatës “Roma Veritas Albania”, që kontribuon në përfshirjen sociale të romëve dhe lufton kundër diskriminimit të tyre, thotë se martesat e hershme brenda këtij komuniteti nënraportohen ose nuk regjistrohen.
“Ky nuk është rasti i vetëm i martesës në moshë të mitur. Thjesht, u bë publik dhe po merremi me të. Fejesa dhe martesa në moshë të hershme te ky komunitet ka me qindra”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ato ndodhin për shkak të arsimimit jo të duhur, pasi shumë fëmijë të këtij komuniteti e braktisin shkollën herët.
“Pastaj, mentaliteti, varfëria ekstreme dhe veçimi i këtyre njerëzve”, numëron Aliu si arsye.
“Këto [martesa] ndodhin në disa zona të vendit, në Gjirokastër, Fier, Korçë, Bilisht etj., por ato janë të gjitha lagje të segreguara, lagje periferike të këtyre rretheve”, sipas tij.
Aliu shton se statistikat tregojnë se në ato familje që janë ndërgjegjësuar për arsimimin, nuk ka fejesa apo martesa të hershme.
Statistikat e organizatës së tij tregojnë se, vitin e kaluar, kanë qenë vetëm 20 studentë romë në shkallë vendi.
Ai thotë se arrestimi i bashkëshortit të së miturës 14-vjeçare nuk zgjidh asgjë.
“Jam dakord që duhet zbatuar ligji dhe i riu ka kryer shkelje, por, thjesht, familjes i mungojnë të ardhurat që ai i sillte. Pyetja që lind është: ku ishin institucionet përpara se kjo vajzë ta braktiste shkollën, të fejohej dhe të martohej?”, thotë Aliu.
Institucionet vendore në Korçë dhe as ato qendrore nuk reaguan zyrtarisht për rastin e 14-vjeçares që u bë nënë.
Shqipëria ka hartuar Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, si një angazhim të sajin për të përmbushur të drejtat e fëmijëve me një kohështrirje prej vitit 2021 deri më 2026.
Institucionet nuk japin hollësi se si është duke shkuar përmbushja e agjendës, por pranojnë se martesat e hershme nuk raportohen në nivelin e duhur, kryesisht për shkak të pabarazisë gjinore, varfërisë dhe përjashtimit social.
Për Altin Hazizajn, drejtues i organizatës “Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri”, rasti i 14-vjeçares në Korçë është “një ngjarje tipike e shfrytëzimit seksual” dhe “fakt që vajzat dhe gratë në Shqipëri kanë probleme serioze të respektimit të të drejtave të tyre”.
“Por, çfarë shoh unë me shqetësim, është fakti se institucionet janë të paafta që të kuptojnë, të ndjekin gjendjen e fëmijëve, në mënyrë të veçantë të vajzave. Sistemi social e ka për detyrë që çdo fëmijë të jetë i identifikuar, të marrë shërbime, të ndjekë shkollën…”, thotë Hazizaj për Radion Evropa e Lirë.
Të dhëna të unifikuara se sa fëmijë romë ndjekin mësimet nuk ka, por, sipas organizatës “Roma Veritas Albania”, vitin e kaluar, ishin rreth 60-70 romë në arsimin e mesëm të përgjithshëm.
Hazizaj thekson nevojën e më shumë fondeve dhe bashkëpunimeve për parandalimin e martesave të hershme te komunitet pakicë.
“Nuk mund të justifikohet askush duke thënë se martesat e hershme janë traditë te komuniteti rom dhe egjiptian”, sipas tij.
Dukuria, megjithatë, është e përhapur globalisht.
Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) vlerëson se që nga marsi i vitit 2018, në të gjithë botën, diku rreth 21 për qind e grave të reja janë martuar para moshës 18-vjeçare.
Po ashtu, sipas UNICEF-it, 650 milionë gra dhe vajza që janë gjallë sot, janë martuar para moshës 18-vjeçe.
Çdo vit, 12 milionë vajza në të gjithë botën, martohen para moshës 18-vjeçare dhe pritet që 150 milionë vajza të martohen para se t’i mbushin 18 vjet deri në vitin 2030.