Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha shprehet se institucioni që ai drejton dhe Policia e Shtetit janë të përkushtuar për të rritur sigurinë në shkolla dhe për të krijuar një infrastrukturë të fortë dhe efikase, për nxënësit dhe stafin pedagogjik.
Gjatë punimeve të Konferencës Kombëtare “Shkolla, Qendër Komunitare”, Hoxha renditi masat e ndërmarra në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha: Po ushtrohen kontrolle sistematike dhe të vazhdueshme në mjediset e shkollave dhe perimetrin e sigurisë përreth tyre, për parandalimin dhe goditjen e veprave penale, në mënyrë të veçantë shitjen e lëndëve narkotike, armëmbajtjen pa leje dhe aktet e dhunës apo shfrytëzimit i të miturve
Për ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu gjatë vitit të kaluar shkollor numri i incidenteve në shkolla është ulur me mbi 700 raste.
“Kjo do të thotë që mekanizmat e ngritur janë funksional dhe bashkëpunimi sigurisht ka rolin e tij.”
Shkollat si qendër komunitare u vlerësuan edhe nga e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.
“Unë dua të falënderoj partnerët tanë në Shqipëri, për ndërtimin e shkollave me model qendre komunitare. Qëllimi jonë është të ndihmojmë të rinjtë, të refuzojnë radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke nxitur elasticitetin dhe një ndjenjë më të fortë të komunitetit. Më bën përshtypje pozitivisht kur shikoj disa të rinj duke marrë pjesë në diskutime buxhetore, klube debati, apo dhe duke parë mënyrat e përdorimit të teknologjisë.”
“Shkolla Qendër Komunitare”, është një nismë që ka për qëllim rritjen e qëndresës së komuniteteve ndaj ekstremizmit të dhunshëm.