Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka paraqitur ditën e djeshme dorëheqjen nga funksioni i tij.

Në një konferencë për shtyp. ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, bëri me dije se deri në momentin e zgjedhjes së drejtorit të ri, në ish postin e Rrumbullakut do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga.

Ministri ka ftuar të gjithë drejtuesit e policisë të kandidojnë për zgjedhjen në krye të Institucionit, pasi theksoi se kjo do të jetë një garë e hapur dhe e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.

Hoxha shtoi se zgjedhja e drejtuesve të rinj dhe zëvendësuesit të zotit Rrumbullaku, do të ndodhë në javët në vijim.

Pjesë nga fjala e ministrit:

Unë u thirra në këtë detyrë nga Kryeministri Rama pa e menduar ndonjëherë se mund të isha një ditë Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.

Vënia e dorës mbi Kushtetutë kur bëra betimin përpara Presidentit Begaj ishte momenti më emocionues i jetës time profesionale.

Votimi i emrit tim në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë këtë detyrë kaq të lartë ishte nderi më i madh që mund të më bëhej si qytetar i kësaj Republike dhe shpërblimi i gjithë këtij betimi është borxhi më i madh ku mund të futesha në jetën time si një njeri i këtij vendi.

As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë.

Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë.

Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit.

Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore.

Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.

I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.

Faleminderit!