*Nga Spartak Ngjela*

Viti 1991 u dha shqiptarëve shumë shpresë, por krijoi një lëvizje demokratike që nisi shterpë, tani ajo ka përfunduar në absurditet tragjik…

Shekspiri ishte i pari që na e tha kaq bukur:

Nëse ne jemi të vërtetë me vetveten, nuk mund të jemi fals me askënd.

“If we are true to ourselves, we can not be false to anyone”

I.

Ja, po ta shohim me vëmendje këtë maksimë shekspiriane, e gjejmë arsyen se përse të gjithë ata mbretër, sekretarë të parë, kryeministra e ministra që kanë gënjyer ne mënyrë banale shqiptarët në një shekull, 1925 – 2024, kuptohet se, së pari, nuk kanë qenë të vërtetë me vetveten.

Po ku konsiston rangu i parë i individëve që nuk janë të vërtetë me vetveten?

Të parët janë delirantët.

Deliri i ka bërë këta drejtues historikë të shqiptarëve që në 100 vitë të jenë njerëz fals.

Por, na duhet të theksojmë se njeriu fals, në fakt, është individi i paditur që nuk ka hapësirë mendore për të kuptuar se, të drejtosh shoqërinë tënde, pikë së pari, nuk mund të jesh fals me veten tënde. Shpesh këta individë që nuk janë të pakët, kanë frikë nga vetvetja. Duhet të kuptohet se vetja është shumë e rëndë, nese ti nuk e ulë këtë rëndesë me idetë e tua të vërteta.

II.

Të drejtosh një shtet, duhet të kesh idetë e tua. Të shkruash një roman, duhet gjithashtu të kesh idetë e tua, dhe, prandaj, që të drejtosh një shtet duhet të kesh idetë e tua progresive dhe novatore.

Të gjithë politikanët drejtues të lartë, presidentë ose kryeministra që kanë abuzuar mbi popujt e tyre, kanë qenë fals me vetveten, së pari, dhe mandej kanë falsifikuar edhe historinë që të nxirrnin në pah vetveten.

Ja, kjo ka ndodhur edhe në historinë e Shqipërisë. Me përjashtim të Fan Nolit, që ishte pa dyshim individi me i ditur dhe me i pastër i kryeministrave që kanë kaluar në Shqipëri, nga viti 1912 e deri më sot, të tjerët, po të shihet me vëmendje, nuk kanë qenë të vërtetë me vetveten, dhe prandaj kanë krijuar prapambetjen e Shqipërisë.

Dhe kjo ka qenë sëmundja e historisë së Shqipërisë që nga pavarësia e saj, në vitin 1912, e deri më sot.

Gënjeshtër e trashë individësh ka qenë më së shumti historia e qeverive shqiptare, që nga viti 1925 e deri më sot, që, edhe pse qeverisën, nuk bënë dot një gjë cilësore për historinë e Shqipërisë, sepse, me një mendje të palartësuar, ata nuk kanë pasur aftësinë intelektuale për të kuptuar raportin midis interesit të tyre dhe interesit të Shqipërisë në funksion të historisë.

Por na duhet të theksojmë gjithashtu…

Se historia tani po e shkruan shumë qartë: shqiptarët i ka dëmtuar shumë Franca, Rusia, Beogradi dhe Athina. Dhe mos mendoni se na kanë luftuar kot, sepse e gjithë veprimtaria e tyre kriminale kundër Shqipërisë ka qenë kompleks inferioriteti historik i tyrë ndaj nesh.

Tani kjo është kuptuar qartë, sidomos nga tmerri që ata po e vuajnë madhështinë e gjuhës shqipe që po spikat shkencërisht.

IlI.

Ahmet Zogu, nuk ia doli dot të krijonte Shqipërinë e saktë, sepse nuk njihte as historinë e shqiptarëve si Iliri, Arbëri, Shqipëri dhe as historinë reale të Evropën dhe atë të Gadishullit të Ballkanit.

Ahmet Zogu ishte i pasigurt në vetvete dhe i ndërtuar mbi gënjeshtrën vetjake. Ai e shpalli veten mbret, se nuk i largohej dot konfliktit të tij të brendshëm, si ide fikse e tij, që ai duhej të ishte njeriu absolut i Shqipërisë.

Por, Zogu kishte një zgjuarsi natyrore që ia mbulonte injorancën në funksion të dijes dhe kulturës së lartë perëndimore, dhe, si mbret, nuk mund të themi se bëri krime kundrejt kundërshtarëve të tij.

Por, zhvillimit kombëtar, Ahmet Zogu nuk i dha hapësirë zhvillimi, me përjashtim të sistemit arsimor, që diti ta krijonte me një cilësi të admirueshme. Ai dha bursa të shumta për përgatitjen e shqiptarëve të ditur nëpërmjet universiteteve perëndimorë, dhe nuk krijoi burg politik kundrejt kundërshtarëve, që në realitet i pati të shumtë.

Enver Hoxha. Ky erdhi në pushtet me një luftë kryengritëse që e filloi si luftë çlirimtare kundër pushtuesve në Luftën e Dytë Botërore, dhe me të krijoi një pushtet absolut në emër të tij, dhe sundoi shqiptatët në emër të komunizmit, por që është e faktuar se, në krye të herës, kur filloi karrierën politike, Hoxha nuk kishte qenë komunist. Por me një dhunë te epërme, me krime dhe burgje politike për kundërshtarët, ai krijoi një pushtet personal absolut terrori, dhe e izoloi Shqipërinë nga bota e zhvilluar, për të garantuar pushtetin dhe sundimin e tij personal, për 50 vite rresht: 1945 -1995.

Prandaj…

Enver Hoxha, në 50 vite, nuk krijoi dot një shtet me zërin real të shoqërisë shqiprare. Ai tha indirekt në të gjithë historinë e tij drejtuese: Shqipëria jam unë, dhe, pa mua nuk ka Shqipëri.

Enver Hoxha dëgjonte këngë e lavde për të në një sallë, dhe kënaqej, sepse ishte një shtypës i popullit të tij, dhe i donte lavdet e kultit të individit, sepse me këtë zhurmë propagandistike, me emrin e tij kudo, ai gjente prehjen vetjake dhe largonte frikën e brendshme patologjike që e kishte bashkudhëtare të pushtetit të tij absolut.

lV

Viti 1991 u dha shqiptarëve shumë shpresë, por krijoi një lëvizje demokratike që nisi shterpë, tani ajo ka përfunduar në absurditet tragjik. Kryetari i Partisë Demokratike që na tha me zhurmë se ka sjellë demokracinë, është i arrestuar për korrupsion, dhe SPAK thotë që e ka provuar se Berisha na ka sjellë vjedhjen si psikologji sundimi politik në Shqipëri. Të shohim…

Gjyqi që do të zhvillohet si proces penal kundër tij, a do të një jetë një fakti i ri për zhvillimin integral të Shqipërisë?…

E pra pyetja është sërish kjo:

Ne shqiptarët, në qeverisjen tonë, a do të jemi të vërtetë me vetveten?