Në qershor dy astronautë amerikanë u nisën nga Toka, duke menduar se do të kalojnë vetëm tetë ditë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).
Por pasi kanë filluar shqetësimet se anija kozmike “Boeing Starliner” është e pasigurt për t’u kthyer, NASA e ka shtyrë datën e rikthimit të Suni Williams dhe Butch Wilmore deri në vitin 2025. Tani ata janë duke ndarë një hapësirë me madhësi të një shtëpie me gjashtë dhoma me nëntë njerëz të tjerë.
Williams e quan atë “vendin e saj të lumtur” dhe Wilmore thotë se është “mirënjohës” që është aty.
Por si është në të vërtetë ndjenja e të qenit 400 kilometra mbi Tokë? Si merren me shokët e ndërlikuar të ekuipazhit? Si ushtrojnë dhe si i lajnë rrobat? Çfarë hanë – dhe më e rëndësishmja, çfarë është “aroma e hapësirës”?
Duke folur për BBC News, tre ish-astronautë shfaqin sekretet e mbijetesës në orbitë. Çdo pesë minuta të ditës së astronautëve ndahen për kontrollin e misionit në Tokë.
Ata zgjohen herët. Rreth orës 06:50, ata zgjohen nga dhomat e gjumit me madhësi të një kabine telefonike në modulin e ISS-it të quajtur Harmony.
“Ka çantën më të mirë të gjumit në botë”, thotë Nicole Stott, astronaute amerikane me NASA-n, e cila ka kaluar 104 ditë në hapësirë në dy misione në vitet 2009 dhe 2011.
Dhomat e ndara kanë laptopë, përmes të cilëve ekuipazhi mund të kontaktojë me familjen dhe një qoshe ku mund të vendosen gjërat personale si fotografitë ose librat.
Astronautët mund ta përdorin banjën, një dhomë e vogël me sistem thithjeje. Normalisht, djersa dhe urina riciklohet në ujë të pijshëm, por një problem me ISS-në do të thotë se ekuipazhi mundet vetëm ta ruajë urinën për momentin.
Pastaj astronautët mund t’i përvishen punës. Mirëmbajtja ose eksperimentet shkencore ua marrin shumicën e kohës në ISS, i cili është sa madhësia e Pallatit Buckingham – ose sa një fushë e futbollit amerikan.
“Brenda duket sikur ka disa autobusë të bashkuar së bashku. Për gjysmë dite mund të mos shihni një person tjetër”, shpjegon astronauti kanadez Chris Hadfield, komandant në misionin Ekspedita 35 në vitet 2012-13. “Njerëzit nuk lëvizin nëpër stacion shpejt. Është vend i madh dhe i qetë”.
ISS-ja ka gjashtë laboratorë për eksperimente dhe astronautët vendosin monitorë të zemrës, trurit dhe të gjakut për t’i matur reagimet ndaj mjedisit sfidues fizik.
“Jemi si kavje laboratori”, thotë Stott, duke shtuar se “hapësira i vendosë eshtrat dhe muskujt në një proces të përshpejtuar plakjeje dhe shkencëtarët mund të mësojnë nga kjo”.
Nëse astronautët munden, ata punojnë më shpejt sesa parashikon kontrolli i misionit.
“Loja juaj është të gjeni pesë minuta të lira. Fluturoja te dritarja për të shikuar ndonjë gjë që kalon aty pari. Ose shkruaja muzikë, bëja fotografi ose shkruaja diçka për fëmijët e mi”, thotë Hadfield.
Fatlumëve të rrallë u kërkohet të bëjnë shëtitje në hapësirë, duke u larguar nga ISS-i për të dalë jashtë në hapësirë. Hadfield ka kryer dy prej tyre.
“Këto 15 orë jashtë, me asgjë mes meje dhe universit përveç helmetës së hapësirës, ka qenë shumë stimuluese dhe eksperiencë e një bote tjetër”.
Por ajo shëtitje në hapësirë mund të shfaqë diçka të re për stacionin hapësinor – “aroma metalike e hapësirës”.
“Në Tokë kemi aroma të ndryshme, si aroma e rrobalarëses ose ajrit të pastër. Por në hapësirë ka vetëm një aromë dhe ne mësohemi shumë shpejt me të”, shpjegon Helen Sharman, astronautja e parë britanike, që ka kaluar tetë ditë në stacionin hapësinor sovjetik Mir në vitin 1991.
Objektet që dalin jashtë, si kostumi ose pajisjet shkencore, preken nga rrezatimi i fortë i hapësirës. “Rrezatimi formon radikale të lira në sipërfaqe dhe ato reagojnë me oksigjenin brenda stacionit hapësinor, duke krijuar një aromë metalike”, thotë ajo.
Kur ajo është rikthyer në Tokë, ajo i ka vlerësuar eksperiencat shqisore më shumë. “Nuk ka mot në hapësirë – s’ka shi që të bie në fytyrë e as erë që të prekë flokët. I vlerësoj këto më shumë që atëherë”, thotë ajo, 33 vjet më vonë.
Më mes të punimeve, astronautët që qëndrojnë gjatë duhet të bëjnë dy orë ushtrime çdo ditë. Tri makineri të ndryshme u ndihmojnë t’i tejkalojnë efektet e jetesës me zero gravitet, që redukton densitetin e eshtrave.
Pajisja e avancuar e ushtrimeve rezistente (ARED) është e mirë për “squats” dhe ngritje të peshave të lehta dhe të rënda që i nxisin të gjitha grupet e muskujve të punojnë, thotë Stott.
Ekipi përdor dy makina për vrapim, në të cilat duhet të lidhen në mënyrë që të mos fluturojnë dhe një makinë pedalimi për stërvitjet e qëndrueshmërisë.
Një palë pantallona për tre muaj
Tërë ajo punë krijon shumë djersë, thotë Stott, çka çon në një problem të rëndësishëm – larjen e rrobave.
“Ne nuk kemi rrobalarëse – vetëm ujë që formon masa paformë dhe ca gjëra me sapun”, shpjegon ajo. Pa gravitetin që ua tërheq djersën nga trupi, astronautët mbulohen me një shtresë djerse – “shumë më shumë sesa në Tokë”, thotë ajo. “E kam ndier djersën duke mu rritur në skalp – duhet ta fshija kokën. Nuk guxoje ta tundje sepse do të fluturonte gjithandej”.
Këto rroba bëhen aq të ndyra saqë hidhen në një automjet mallrash që digjet në hapësirë. Por sipas saj, rrobat e tyre të përditshme qëndrojnë të pastra.
“Në gravitetin zero, rrobat fluturojnë në trup, kështu që yndyra dhe gjërat tjera nuk i prekin ato. Kam pasur një palë pantallona për tre muaj”, shpjegon ajo.
Në vend të kësaj, ushqimi ishte rreziku më i madh.
“Dikush hapte një konservë, për shembull, mish dhe lëng mishi”, thotë ajo. “Të gjithë alarmoheshim sepse topa të vegjël të lëngut të mishit fillonin të fluturonin. Njerëzit fluturonin mbrapsht, si në filmin Matrix, për t’iu larguar lëngut të mishit”.
Në një moment mund të arrijë një mjet tjetër hapësinor, për të sjellë një ekuipazh të ri ose furnizime me ushqime, rroba dhe pajisje. NASA dërgon disa automjete furnizimi në vit. Arritja në stacionin hapësinor nga Toka është “e mahnitshme”, thotë Hadfieldi.
“Është moment që ta ndryshon jetën, kur të bie në sy ISS-i në përjetësinë e universit – duke parë këtë flluskë të vogël të jetës, një mikrokozmos të krijimtarisë njerëzore në errësirë”, thotë ai.
Pas një dite të gjatë pune, është koha për darkë. Ushqimi vendoset kryesisht në pako, të ndara në vende të ndryshme sipas kombit.
“Ishte si ushqim kampingu apo racione ushtarake. Në rregull, por mund të jetë më e shëndetshme”, thotë Stott. “E preferuara ime ka qenë kërri japonez, ose supat apo drithërat ruse”.
Familjet u dërgojnë familjarëve të tyre pako shtesë me ushqim.
“Burri dhe djali im më zgjidhnin ëmbëlsira të vogla, si xhenxhefil të mbuluar me çokolatë”, thotë ajo.
Ekipi ndan ushqimin shumicën e kohës. Astronautët janë përzgjedhur paraprakisht nga atributet personale – tolerantë e të qetë – dhe të trajnuar për të punuar si ekip. Kjo zvogëlon gjasat e konfliktit, shpjegon Sharman.
“Nuk është puna te durimi i sjelljes së keqe të dikujt, por ta bësh të ditur atë. Dhe ne gjithmonë i japim njëri-tjetrit mbështetje”, thotë ajo.
Ndikimi psikologjik i pamjes së Tokës nga orbita
Dhe në fund, koha për gjumë, dhe koha për të pushuar pas një dite me ambient të zhurmshëm, ku flladitëset punojnë vazhdimisht për ta shpërndarë dioksidin e karbonit në mënyrë që astronautët të marrin frymë, duke e bërë atë të zhurmshëm, sikurse një zyrë shumë e zhurmshme.
“Ne mund të flemë tetë orë – por shumica mbesin në dritare duke e shikuar Tokën”, thotë Stott.
Të tre astronautët kanë folur për ndikimin psikologjik që ka shkaktuar të pamja e planetit Tokë nga 400 kilometra në orbitë.
“Ndihesha shumë e parëndësishme në atë pafundësi të hapësirës”, thotë Sharman.
“Duke e parë kaq qartë Tokën, rrotullimet e reve dhe oqeaneve, më bënë të mendoj për kufijtë gjeopolitikë që ndërtojmë dhe se si në të vërtetë jemi plotësisht të ndërlidhur”.
Stott thotë se i ka pëlqyer jetesa me gjashtë njerëz nga vende të ndryshme dhe “duke e bërë këtë punë në emër të të gjithë jetës në Tokë, duke punuar së bashku, duke e kuptuar se si të merremi me problemet”.
“Pse nuk mund të ndodhë kjo në planetin tonë?”, pyet ajo.
Në fund, të gjithë astronautët duhet të largohen nga ISS-ja – por këta të tre thonë se do të ktheheshin pa e menduar dy herë. Ata nuk e kuptojnë pse njerëzit mendojnë se astronautët e NASA-s, Suni Williams dhe Butch Wilmore janë “të bllokuar”.
“Ne ëndërruam, punuam dhe u stërvitëm gjithë jetën tonë duke shpresuar për një qëndrim të gjatë në hapësirë”, thotë Hadfield. “Dhurata më e madhe që mund t’i bëni një astronauti profesionist është t’i lini të qëndrojnë më gjatë atje”.Dhe Stott thotë se teksa është larguar nga ISS-i ajo ka menduar: “Duhet të tërheqësh duart e mia me gjithë thua nga këtu. Nuk e di nëse do të arrij të kthehem”.