Hetimet vijojnë për vrasjen e ndodhur mesditën e 30 gushtit, ku Elis Rroshkodoli u ekzekutua me 18 plumba teksa ndodhej në ambjentet e një lokali në Zdrale. 36-vjeçari sipas të dhënave të siguruara në kuadër të hetimit, ishte parë kryesisht në zonën e Zdrales, ku mbeti i vrarë. Burimet thanë, për Oranews se Elis Rroshkodoli, për disa kohë ka qëndruar në Shqipëri, por në një qytet tjetër.
Nga verifikimet në sistemin TIMS, Elis Rroshkodoli, rezulton se nuk ka bërë lëvizje kohët e fundit. Ky fakt ngre dyshime se ai mund të ketë hyrë ilegalisht në vend, ose mund të ketë përdorur identitet tjetër. Të dhënat janë duke u verifikuar thanë burimet. E shkuara dhe zbulimi i një pistolete në çantën personale të 36-vjeçarit ka ngritur dyshime se Elis Rroshkodoli mund të jetë i përfshirë në krime.
Arma e zjarrit e cila iu gjet viktimës në çantë, me fishek në fole mësohet se është dërguar në laboratorin e policisë shkencorë për ekzaminim. Grupi hetimor i atentatit kërkon përgjigje nëse arma është përdorur për krime në qytetin e Shkodrës, apo zona të tjera të vendit. Lidhja e provave të gjetura në çantën e viktimës me disa vendngjarje do ti shërbeje dyshimit të policisë për aktivitetin e 36-vjeçarit.