BERAT- Mbrëmjen e 29 nëntorit u tentua vrasja e Irfan Azizit. Ai që ishte dikur miku i tij, Talo Çela tentoi që ta vriste në Poshnje të Beratit, me urdhër të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja. Ngjarja asokohe u raportua se “vetëplagosje”, madje edhe në versionin zyrtar të Policisë së Shtetit, ndërsa titujt e të gjithë mediave ishin: Po luante me punëtorët, vetëplagoset pa dashje me armë pronari i karburantit në Berat!
Por e vërteta ishte shumë ndryshe. Sipas dosjes së përpiluar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irfan Azizi ka shpjeguar edhe arysen se përse Talo Çela donte që ta vriste. Sipas tij, Talo Çela ishte informuar se Azizi ishte personi, i cili kishte dhënë makinat e përdorura në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe vëllait të tij, Bujar Çela. Po ashtu, dyshonin se Azizi mund të kishte ndihmuar Nuredin Dumanin duke i dhënë makina të vjedhura për realizimin e ngjarjeve në Durrës ku kanë mbetur të vrarë anëtarë të organizatës kriminale Çopja. Kishin dyshime edhe që Azizi mund të ketë strehuar Nuredin Dumanin pas vrasjeve.
Në datë 05.07.2022, SPAK ka marrë në pyetje Irfan Azizin në Ambasadën shqiptare në Londër lidhur me ngjarjen e ndodhur 29.11.2020.
Ai ka deklaruar: Dua të deklaroj prej vitit 2021 në Londër për shkak të atentatit që më është bërë nga Talo Çela në vitin 2020 muaji nëntor në Poshnjë të Beratit, në afërsi të një karburanti që ka familja ime. Ditën e ngjarjes kam shkuar tek karburanti i babait tim që mban emrin Azizi për t’i lënë 5.000 lekë të reja punëtorit të karburantit që quhet Eli pasi ia kisha marrë më përpara. Kam qenë me automjetin “Porche Cayene”. Parkova automjetin tek sheshpushimi i karburantit dhe shkova drejt punëtorit të karburantit. I dhashë lekët që i kisha marrë dhe u nisa të marrë makinën për të shkuar në shtëpinë time. U futa brenda automjetit dhe sa u bëra gati të kthehesha mbrapa pashë një automjet tip “Audi” që po afrohej drejt meje. Unë zbrita nga makina ime pasi mendova se ishte ndonjë i njohuri. Në momentin qëzbres nga makina shoh që xhami nga krahu i pasagjerit u hap dhe ato çaste pashë Talo Çelën, të cilin e njoh. Ai mbante një maskë të zezë COVID vetëm tek pjesa e gojës dhe një kapele. Kur u afrua drejt meje Talo e uli maskën. Pashë se në automjet ishin edhe dy persona të tjerë, njëri në pozicionin e shoferit, tjetri si pasagjer, të cilin nuk e identifikova dot. Unë u afrova pasi mendova se Talo Çela donte më të takonte por ai në këtë moment nxorri një armë automatike kallashnikov dhe filloi që të qëllonte. Plumbi i parë më kapi në dorë dhe pas këtij momenti u largova me vrap fillimisht në drejtim të tokave të babait tim. Aty kam marrë në telefon Policinë. Drejt meje mesa mbaj mend është qëlluar 20 herë goditje jo me breshëri por tek e tek. Dua të theksoj se personi që më qëlloi me armë ishte Talo Çelo nga Elbasani. E njoh mjaft mirë pasi e kam patur shok dhe kam qëndruar mjaft kohë më të. Me Talo Çelën jam njohur në vitin 2015 pasi ai vidhte makina dhe unë ia bleja dhe i çmontoja pranë një karburanti të familjes. Me Talon jam njohur nga Guri Biba, për herë të parë e kam takuar në Elbasan tek shtëpia e tij në Bradashesh në prezëncën e Gurit. I kam blerë 7-8 makina të llojeve të ndryshme.
Më datë 02.06.2020, Kamami flet me Talo Çelën në SkyECC, ku flasin për personat që mund të kenë marrë pjesë në ekzekutimin e Dorjan Shkoza, Besmir dhe Viktor Haxhia. Nga bisedat rezulton se Mikael Qosja (Kamami) ka bërë analizën e të gjithë personave. Nga konteksti i bisedës Kamami i ka shkruar Talo Çelës se Altin Ndoci duhet ta tregonte patjetër pasi ishte vrarë Dorjan Shkoza lidhur me konfliktin pasi tani është bërë dëmi shumë i madh.
“Po mir, pse unë kot të thashë ty duhet me u vra beratsi (Irfan Azizi),”-i shkruan Qosja-Çelës. Çopja urdhëron Mikael Qosjan që Talo Çela të mos përzihej më me asgjë (me asnjë punë).
“Jemi të kompletm tani dhe u futëm prapë në linjë. Të heqim këto që janë për t’u heq. Se fana ajeta ikin man. Nuk na prishin punë këto zgjebasat. Po të heqim edhe nha 2 të tjerë që tani janë të domosdoshëmnë Elbasan, ta shfrytëzojmë tani për B. dhe xhuxhin.”