Nga Eduard Zaloshnja
Fill pasi në faqen e parë të New York Times, gazetës më prestigjoze amerikane, u shpall plani i Ramës për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi”, portali shqiptarja.com futi një pyetje rreth tij në sondazhet e përditshme online që zhvillon me lexuesit e saj.
Dhe mbi 2/3 e mbi 5000 të anketuarve e quajtën të gabuar iniciativën e Ramës për sovranitetin e Urdhrit Bektashi, ndërkohë që vetëm 1/5 e konsideruan të drejtë (shihni grafikun e mëposhtëm).
Ky rezultat i sondazhit online tek shqiptarja.com është domethënës statistikisht, sepse rezultatet e sondazheve të mëparshme në këtë portal nuk janë shquar për një anim të fortë të vazhdueshëm antiqeveritar – lexuesit e shqiptarja.com kanë qenë kundër qeverisë vetëm për disa vendime kontroversiale të saj (si për shembull, indeksimi i pensioneve, qendrimi ndaj mandatit parlamentar të Xhaçkës, kampet e refugjatëve në Gjadër, etj.).
Meqënëse referendumi popullor është një nga dy mënyrat për të bërë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për krijimin e “Shtetit të Urdhrit Bektashi”, sondazhi online i shqiptarja.com paralajmëron statistikisht se një referendum i tillë s’ka shans të jetë i suksesshëm.