Aktorja Eva Alikaj, apo siç të gjithë e kujtojnë më së shumti si Elsa e dikurshme e “Pallatit 176”, ka rrëfyer së fundmi ndërhyrjet estetike që ka bërë në pamjen e saj, që e mbajnë në një formë të mirë, edhe pse vitet kalojnë.
Edhe pse në pamje të parë duket tejet natyrale, aktorja ka treguar se ka realizuar disa ndërhyrje të vogla në look-un e saj, duke nisur nga rrudhat.
E pyetur se cili është sekreti i bukurisë së saj, aktorja 63-vjeçare u shpreh: “Gjenet, por kam bërë edhe ndërhyrje estetike…”.
Më tej, gjatë bisedës te “Rudina”, ajo ka treguar se ka eliminuar pjesën e rrudhave pak në fytyrë dhe në pjesën e qafës, ndërsa shtoi se nuk do të ndryshoj pamjen, por për moshën që ka dhe punën, ka marrë këtë vendim.
“Ja, meqenëse do ta dish, kam bërë diçka. Vetëm pak rrudhat janë tërhequr dhe pak këtu te qafa. Kjo është bërë. Unë nuk dua të ndryshohem, sepse dua të jem vetvetja, por moshën e kam për t’i bërë këto gjëra, edhe si artiste dhe kaq…”, tha aktorja.
Alikaj foli për projektet artistike dhe rolet në film dhe teatër dhe në mes të bisedës zbuloi se nuk e ka parë kurrë të plotë “Pallatin 176”.
“Para se të vija në emision, djali më rregulloi YouTube-n dhe aty më doli “Pallati 176”. Unë nuk e kam parë të them të drejtën, sepse ne nuk i shohim gjërat që dalin nga ne. Pra, e kam parë me fragmente,” tha ajo.
Rudina Magjistari, e habitur nga kjo përgjigje, i tha se nuk e beson një fakt të tillë, për sa kohë që shqiptarët 17 majin e kanë kthyer në një “festë kombëtare” dhe dinë përmendësh çdo batutë të asaj shfaqjeje.
“Besoje që nuk e kam parë! Sa herë dua të shoh televizor, çdo dy apo tre ditë më del Eva dhe i them vetes se nuk kam kohë të të shoh, kam punë!” tha ajo me humor.