Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i është drejtuar me një letër nxënësve duke i uruar një vit më të mbarë shkollor. Ai shkruan se Bashkia nuk e ka ndalur punën lidhur me shkollat e reja të Tiranës që sot janë me standarde europiane.

“Dihet tashmë, teksa ju pushonit nëpër plazhe apo male, ne të Bashkisë nuk e ndalëm punën lidhur me shkollat. E kemi kthyer prej kohësh situatën përmbys, e kemi ndryshuar faqen dhe shkollat e Tiranës sonë, tashmë, janë të standardeve evropiane. Mbi 40 shkolla të reja dhe të rikonskruktuara deri më sot dhe nuk kemi ndalur”, shkruan Veliaj.

Veliaj shprehet se janë 5 shkolla të reja që presin nxënësit të rikthehen në ambientet e tyre më moderne dhe më bashkëkohore, duke theksuar se janë edhe 37 institucione të tjera arsimore që presin të ndërtohen dhe rikonstruktohen.

“Këtë vit, jam shumë i lumtur që nxënësit e “Musine Kokalari”-t, “Xhezmi Delli”-t, “Myslym Keta”-s, “Avni Rustemi”-t dhe “Emin Duraku”-t rikthehen në shkollat e tyre më moderne, më bashkëkohore, por, mbi të gjitha, më të sigurta. E do të vijojmë edhe këtë vit dhe në vitet në vijim – janë edhe 37 shkolla të tjera që presin të ndërtohen apo të rikonstruktohen. Sepse puna jonë është të sigurojmë që çdo brez i ri të ketë mundësinë të rritet në një mjedis që i hap dyert e së ardhmes. Dhe, në fund të fundit, punët e mira nuk mbarojnë kurrë”, shkruan kryebashkiaku.

Letra e plotë

Të dashur nxënës të Tiranës, miqtë e mi të vegjël!

Gjithnjë jam ndjerë mirë tek e kam shkruar këtë letër. Me afrimin e shtatorit, madje, vit pas viti, mezi e kam pritur. Besoj se këtu ngjajmë; nuk kam dyshim që edhe ju mezi e prisni rihapjen e shkollave. E di mirë, sepse i kam kaluar të gjitha etapat: dikur atë të nxënësit teksa isha njëri prej jush, në fillim ai vogëlushi pak i trembur i klasës së parë që shkon në shkollë përdore me prindin, pastaj ai djali që çdo shtator kalon pragun e shkollës disa centimetra më i gjatë, më i mësuar dhe më i sigurt në vetvete se një shtator më parë.

Dihet tashmë, teksa ju pushonit nëpër plazhe apo male, ne të Bashkisë nuk e ndalëm punën lidhur me shkollat. E kemi kthyer prej kohësh situatën përmbys, e kemi ndryshuar faqen dhe shkollat e Tiranës sonë, tashmë, janë të standardeve evropiane.

Mbi 40 shkolla të reja dhe të rikonskruktuara deri më sot dhe nuk kemi ndalur.

Këtë vit, jam shumë i lumtur që nxënësit e “Musine Kokalari”-t, “Xhezmi Delli”-t, “Myslym Keta”-s, “Avni Rustemi”-t dhe “Emin Duraku”-t rikthehen në shkollat e tyre më moderne, më bashkëkohore, por, mbi të gjitha, më të sigurta. E do të vijojmë edhe këtë vit dhe në vitet në vijim – janë edhe 37 shkolla të tjera që presin të ndërtohen apo të rikonstruktohen. Sepse puna jonë është të sigurojmë që çdo brez i ri të ketë mundësinë të rritet në një mjedis që i hap dyert e së ardhmes. Dhe, në fund të fundit, punët e mira nuk mbarojnë kurrë.

E ka Sami Frashëri një thënie që është si ylli polar për lundërtarët: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër dhe grurë; nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”. Sigurisht, ne na intereson “përgjithmonë”, na intereson të shohim larg dhe, duke parë larg, ju kemi ju në fokus. Ëndrrat nuk janë thjesht dhe vetëm për t’u nanuritur.

Ëndrrat janë bërë për t’u përmbushur. Veçse rruga drejt përmbushjes kalon, padyshim, nga shkolla.

I shijofshi frytet e rrugëtimit të dritës që për disa nis e për të tjerë rinis sot!

Ju priftë e mbara!