Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu mori pjesë në DVDay (Distinguished Visitors Day) e stërvitjes së përbashkët mes trupave shqiptare dhe britanike “Austere ëolf – 24”. Gjatë fjalës së tij, ai tha se kjo stërvitje është një përgjigje ndaj realitetit të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Angazhimi në këtë stërvitje është padyshim jo vetëm një nevojë e të dyja forcave por edhe një përgjigje ndaj realitetit të sigurisë në rajonin tonë. Këto ndërveprime krijojnë një shembull të qartë të angazhimit dhe fokusit të vendeve tona në përmirësimin e kapaciteteve, gadishmërisë operacionale dhe infrastrukturës si një kusht për këtë gadishmëri. Vendndodhja gjeografike midis dy vendeve tona ndoshta nuk është e afërt në koordinata por ajo bëhet e papërfillshme kur vjen puna për interesat e përbashkëta strategjike të NATO-s. Prandaj edhe Korridori VIII Response tregon jo vertëm rritjen e aftësive tona ushtarake por edhe rolin e Shqipërisë si një nyje logjistike për operacionet aleate.”, u shpreh ministri.

Më tej, ai shtoi se misioni kryesor është forcimi i sigurisë në një kohë kur Evropa Juglindore po përballet vazhdimisht me influenca malinje.

“Misioni ynë është që të forcojmë sigurinë në një kohë kur Evropa Juglindore është vazhdimisht nën kërcënimin e influencave malinje dhe për këtë duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë. Forca jonë qëndron te uniteti dhe përkushtimi jonë për ta mbajtur larg këtë aktor dashakeq. Këtë mund ta bëjmë duke qëndruar në kursin euroatlantik.”, tha mes të tjerash ministri Vëngu.