Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se katër të rinjve, të ndaluar të martën në Mitrovicë të Veriut, për “sulm ndaj zyrtarit”, u është caktuar masa e paraburgimit.
Ata fillimisht janë ndaluar pasi është thënë se kanë fyer dhe sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri prej të cilëve është plagosur, dhe më pas janë larguar prej vendit të ngjarjes.
“Njësitet policore kanë arritur t’i arrestojnë të dyshuarit në rrugën Knjaz Millosh. Ata janë dërguar në stacionin policor e më pas janë dërguar për kontroll mjekësor. Të arrestuarve u është bërë matja e nivelit të alkoolit dhe ka dalë që tre nga ta janë nën ndikimin e alkoolit”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Ndërkohë, disa aktivistë politikë nga Mitrovica e Veriut kanë publikuar në rrjetet sociale një video të arrestimit të të rinjve, me pretendimin se Policia e Kosovës ka përdorur forcë të tepruar dhe se i ka rrahuar të ndaluarit.
Policia e Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se “është përdorur forca minimale e nevojshme për arrestimin dhe vënien nën kontroll të personave”.
“Përdorimi i forcës minimale do të thotë se është dashur t’u vendosim pranga”, ka saktësuar Policia.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka thënë se “brutaliteti i Policisë së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, ndaj serbëve, është bërë dukuri e përditshme në veri të Kosovës”.
Në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është thënë se “ndalimi brutal dhe rrahja e të rinjve serbë” nga Policia e Kosovës, “pasqyron politikat antiserbe dhe represionin e torturën që vuajnë dhe përjetojnë serbët nga veriu i Kosovës çdo ditë”.
Sipas saj, ekzistojnë pamje ku shihet se “policët i hedhin në tokë dhe për 10 minuta i rrahin dhe i tërheqin të rinjtë serbë, ndërsa ata kërkojnë ndihmë, e më pas i arrestojnë me armë të gjata”.
Pretendohet se është arrestuar edhe një serb që “ka filmuar torturën për të zhdukur gjurmët dhe provat e brutalitetit të policisë”, por që “fatmirësisht janë ruajtur”.
Po ashtu, përmenden deklaratat e dëshmitarëve okularë që policët “ishin civilë dhe nuk kanë treguar identifikimet”.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se, sipas informacionit që ka, të rinjtë e arrestuar të kombësisë serbe në Mitrovicën e Veriut janë rrahur.
“Ata janë nxjerrë nga një objekt dhe më pas janë rrahur, ndërsa është arrestuar edhe i katërti që e ka regjistruar gjithë këtë me telefonin e tij, që ka filmuar atë represion dhe sulm”, është shprehur Vuçeviç për televizionin Prva.
Vuçeviç ka thënë se ka informacion se njëri nga të rinjtë është arrestuar sepse supozohet se është identifikuar në lidhje me protestën e vitit të kaluar në Zveçan. Sipas tij, vazhdon “maltretimi dhe presioni i përditshëm” ndaj serbëve.
Ai ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i “maltreton” serbët në Kosovë, për ta “pastruar etnikisht” dhe me qëllim që të provokojë një reagim të Serbisë dhe ta përfshijë atë në një konflikt. Ai ka vlerësuar se ka dy rrugë:
“Njëra është që politikisht, përmes dialogut dhe diplomacisë, të ushtrojmë presion, të grindemi dhe të luftojmë për serbët në Kosovë dhe Metohi”. Vuçviç ka theksuar se “rruga tjetër çon në konflikte”.
“Kur u kemi bërë gjëra të këqija shqiptarëve, në disa kuadro historike, nuk ka sjellë rezultate të mira. Dhe, ata tani po përsërisin gabime shumë më të mëdha dhe po sillen shumë më keq. Mjafton t’i shikojnë pak librat e historisë, pak që ta kuptojnë politikën dhe gjeopolitikën dhe do të shihnin se kjo, në afat të gjatë është e paqëndrueshme”, ka theksuar kryeministri i Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të martën se do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.
Ai ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.
Presidenti serb i ka bërë këto komente pasi është takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ditëve të fundit në vendkalimet kufitare të Kosovës dhe Serbisë janë organizuar bllokada, si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të vendit.
Protestuesit, ndër të tjera, kanë kërkuar kthimin e institucioneve paralele serbe të mbyllura në veriun e Kosovës, kthimin e dokumenteve dhe valutës serbe, përdorimi i së cilës është ndaluar në fillim të vitit, si dhe tërheqjen e policisë së Kosovës nga veriu.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, arritën një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por marrëveshja ende nuk është zbatuar plotësisht.