Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do të zhvillojë të enjten një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet përparimi në agjendat e reformave dhe afrimi i rajonit me Bashkimin Evropian.
Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, ka konfirmuar se janë ftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; ai i Shqipërisë, Edi Rama; i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mockoski; i Malit të Zi, Milojke Spajiç; kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ende nuk është e qartë nëse të gjithë liderët e ftuar, do të jenë të pranishëm.
Sipas njoftimit të KE-së, takimi synon të konfirmojë vazhdimin e bashkëpunimit mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, si pjesë e procesit të integrimit të rajonit në bllokun evropian. Në fokus të diskutimeve do të jetë agjenda e reformave, një dokument kyç që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dorëzuar në Bruksel për të siguruar fonde nga paketa financiare e BE-së prej 6 miliardë eurosh. Kjo paketë synon të mbështesë reformat dhe zhvillimin në rajon.
Po ashtu, takimi është i parë për mandatin e dytë të von der Leyen. Në qershor të këtij viti, ish-ministrja gjermane u konfirmua për një mandat të dytë 5-vjeçar si presidente e Komisionit Evropian.