Në Shqipëri, Komisioni Qendror i zgjedhjeve po punon për përgatitjen e të gjitha akteve dhe procedurave që lidhen me votimin nga jashtë vendit të emigrantëve. Një praktikë e cila do të provohet për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës së ardhshme. Votimi do të bëhet përmes postës.
Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi thotë në një bisedë me Zërin e Amerikës se do bëhen të gjitha përpjekjet që nga pikëpamja e garancisë së votës cdo gjë të jetë e qartë e të mos ketë dyshime. Por nga ana tjetër ai pranon se bëhet fjalë për një operacion logjistik i cili bëhet disi i vështirë për shkak të kohës së ngushtë në dispozicion. Pikërisht afatet e ngushta kohore po vënë në pikëpyetje serioze dhe zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në një numër të reduktuar qarqesh.
Parlamenti miratoi në fund të korrikut ndryshimet në kodin zgjedhor, përfshirë dhe votën e emigrantëve, duke ia ngarkuar përgjegjësinë e organizimit të të gjithë procesit, Komisionit Qendror të zgjedhjeve. Një ditë më parë, ky Komision, hodhi për konsultim projektvendimin për rregullat për rregjistrimin e tyre dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve që do të votojnë nga jashtë.
Ky proces do të realizohet përmes një platforme online, ku secili nga ata që jetojnë jashtë, dhe dëshiron të votojë, duhet të hapë një llogari e më pas, siç shpjegon për Zërin e Amerikës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të ngarkojë aty dokumentin e identifikimit dhe një dokument që tregon se ku banon, “kjo më shumë për të treguar adresën se ku do të duhet t’i shkojë më pas fleta e votimit. Me pak fjalë, është një proces mjaft i thjeshtë nga pikëpamja teknike e aspak i komplikuar”.
Askush nuk di të thotë një shifër të saktë të emigrantëve me të drejtë vote, por sipas përllogaritjeve të përafërta shifra mund të vërtitet te 1 apo 1.1 milionë votuesë potencial. Zoti Celibashi thotë se KQZ do të angazhohet në një fushatë informimi për t’i njohur ata me këtë mundësi.
Votimi do të realizohet përmes postës. Fleta e votimit për emigrantët do të niset që në momentin kur KQZ-ja, do të ketë përmbyllur procesin e rregjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit.
“Mbeten rreth 28-32 ditë për KQZ-në, për të prodhuar fletët e votimit e për ta dërguar. Që në momentin që ne i dërgojmë fletën e votimit, procesi i votimit, konsiderohet i hapur. Pra mund të kenë një hapësirë disa ditëshe për të votuar”, shpjegon zoti Celibashi.
Komisioni do të dërgojë në adresën e treguar nga votuesi jashtë vendit, zarfet dhe fletën e votimit e cila, pasi është plotësuar, do të duhet t’i kthehet KQZ-së.
“Zarfi në të cilin ndodhet fleta e votimit është një zarf i bardhë. Ky futet në një zarf tjetër që përmban të dhënat e votuesit. Kur mbërrin, zarfi që përmban adresën, griset dhe mbahet zarfi i bardhë. Të gjithë grumbullohen në një shportë dhe aty bëhet procesi i numërimit”, tregon Komisioneri i Zgjedhjeve.
Koston e dërgimit të fletës së votimit drejt KQZ-së, do të duhet ta mbulojë vetë votuesi. Zoti Celibashi pranon se bëhet fjalë për një proces të kushtueshëm.
“Mjaft të dishkostot e shërbimit postar ndërkombëtar. Në varësi të largësisë, ato shkojnë nga 10-40 euro apo dollar, e më shumë, për një votues”, thotë ai.
Numërimi do të realizohet në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, i cili këtë herë do të duhet të angazhohet kështu dhe në një proces të ri për të.
“Eshtë një operacion logjistik, jo aq i komplikuar, se sa me angazhime, dhe për kohën në dispozicion na vë goxha në vështirësi. Po punojmë për të adresuar të gjitha pikëpyetjet se si do administrohet procesi. Ndarja do të jetë në 12 qarqe, sepse në varësi se ku ka regjistrin e gjendjes civile, aty shkon vota. Që në momentin e mbërritjes do ndahet sipas qarqeve. Ne po përpiqemi që nga pikëpamja e garancisë së votës cdo gjë të jetë e qartë e të mos ketë dyshime”, thekson Celibashi.
Koha nuk premton dhe për aspekte të tjera të procesit zgjdhor që do të zhvillohet në Shqipëri. Ende nuk është e qartë se në sa qarqe do të zbatohet, edhe në zgjedhjet e ardhshme, votimi e numërimi elektronik.
“Kishim propozuar që të zhvillohej në 4 po 5 qarqe, por tani, për kohën që ka mbetur, kjo është e pamundur. Do bëjmë dhe një diskutim të fundit me përfaqësuesit e partive politike, nëse mundet ta shtrijmë procesin e votimit elektronik të paktën në dy ose tre qarqe kryesore të vendit. Por çdo ditë që kalon, e ul mundësinë e zhvillimit të votimit elektronik në tre apo dy qarqe. Ndoshta, nëse koha kalon më tej, nuk do kemi mundësi fare për të përgatitur votimin elektronik qoftë dhe në një qark”, tregon zoti Celibashi duke mos fshehur keqardhjen për këtë.
Ai shprehet i bindur se “do të ishte me dobi që kjo mënyrë votimi të shtrihej më tej”. Në zgjedhjet e fundit vendore, votimi dhe numërimi elektronik u realizua në bashkitë e Kamzës, Vorës dhe Elbasanit./ VOA