Media britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një shkrim, akuzave të Prokurorisë së Posaçme, në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është marrë i pandehur për korrupsion.
Në shkrimin e medias britanike thuhet se Berisha ka shpenzuar më shumë se 400 mijë paund, në betejën e tij ligjore, për heqjen e “non gratës” që i është dhënë nga qeveria britanike, që nënkupton dhe një ndalim të tij për të hyrë në këtë shtet.
“Ish-kryeministri i dyshuar i korruptuar i Shqipërisë ka shpenzuar më shumë se 400,000 paund për të luftuar një ndalim të qeverisë për hyrjen e tij në Britaninë e Madhe.
Sali Berisha, 79 vjeç, i cili akuzohet për korrupsion në Shqipëri, u përjashtua nga Britania e Madhe nga Priti Patel, e cila mbante asokohe postin e sekretares së brendshme. Sipas vendimit, thuhej se Berisha kishte “lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët” që përbënin një kërcënim për sigurinë publike në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri.
Ai shërbeu si president i Shqipërisë midis 1992 dhe 1997 dhe si kryeministër nga 2005 deri në 2013. Ai është kreu i Partisë Demokratike, forcës më të madhe të opozitës. Dhjetorin e kaluar, një gjykatë shqiptare vendosi që ai duhet të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërsa hetohet për dyshimin se ka shpërdoruar detyrën për të përfituar dhëndri i tij.
Zoti Berisha i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se ato janë orkestruar nga Edi Rama , kryeministri aktual. Ai apeloi kundër urdhrit të përjashtimit në një gjykatë të posaçme imigracioni, por ai u refuzua me bazën se ishte e drejta sovrane e MB të kontrollonte hyrjen përmes kufijve të saj”, thuhet mes të tjerave në shkrim.
Akuza “Korrupsion pasiv”
Tashmë përmes dokumenteve të publikuara në Shqipëri ka dalë se zoti Berisha ka shpenzuar më shumë se 500,000 € (417,500 paund) duke punësuar avokatë në Mbretërinë e Bashkuar për të luftuar çështjen e tij.
Një burim në Shqipëri që ka parë dosjen tha: “Për qëllimin e këtij apelimi në SIAC [Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit] vajza e tij nga llogaria e saj bankare në vitin 2022 ka bërë një pagesë prej 72,000 €. Më pas në vitin 2023 një pagesë prej 250,000 € dhe pagesa e fundit prej 200,000 €.
Nuk ka ndonjë sugjerim, që vajza e tij të ketë qenë e përfshirë në aferën korruptive. Të dhënat e publikuara janë pjesë e dosjes që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).
Më pas ai është akuzuar nga prokurorët e SPAK-ut për korrupsion pasiv, vepër penale që dënohet maksimalisht deri në 12 vjet burg, në rastet kur vërtetohet se personi ka përfituar direkt ose indirekt nga veprimet e paligjshme.
“Kërcënim akut” për MB
Rasti i zotit Berisha çoi në zbulimin se Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme kanë nisur një projekt sekret për të ndaluar bosët shqiptarë të krimit që veprojnë në Britaninë e Madhe.
Qëllimi është të dobësohet kërcënimi i paraqitur nga grupet e krimit të organizuar (OCG) dhe të mbrohen interesat e Britanisë në rajon.
Një dokument ligjor i Home Office nuk përmendte zotin Berisha, por i përshkroi bandat shqiptare si një “kërcënim akut” për MB. Ata thuhet se janë lojtarë të rëndësishëm në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe “shumë të përhapur në krimin e rëndë dhe të organizuar” në Britani, duke përfshirë kontrabandën e njerëzve dhe trafikimin e seksit. Shqiptarët përbëjnë 1/8 e kriminelëve në Britsaninë e Madhe.
Dokumenti thoshte se lidhjet midis politikës dhe krimit në rajon krijojnë një “mjedis lejues në të cilin grupet kriminale mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar nga veprimtaria e zbatimit të ligjit”.
Kjo mbrojtje politike u siguron bandave rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si një “strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë”, shtoi dokumenti i Home Office.
Në këmbim, bandat do të ndihmojnë një politikan gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit, tha ai.
Projekti synon të prishë këto lidhje duke bashkërenduar veprimet kundër personave të ekspozuar politikisht në të gjitha anët e politikës shqiptare. Sanksionet mund të përfshijnë përjashtimin nga Mbretëria e Bashkuar dhe “komunimet strategjike”. Përfaqësuesit e zotit Berisha janë kontaktuar për koment, por nuk janë prononcuar.