Kombëtarja shqiptare humbi të martën 0-1 kundër Gjeorgjisë në “Air Albania”, për sfidën e dytë në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Përballja u vendos nga supergoli i Kochorashvili në minutën e 71-të, me fundin që nuk ishte aspak i qetë.
Në momentin që futbollistët po futeshin në dhomat e zhveshjes, disa tifozë ofenduan gardianin Thomas Strakosha se nuk kishte reaguar në momentin e golit, ku për të qenë të sinqertë topi ishte i pakapshëm për shkak të trajektores së gjuajtjes.
Në tribunë ndodheshin edhe familjarët e Thomas, me vëllanë e tij Dhimitrin që u përfshi në debat me tifozët, aq sa u desh ndërhyrja e oficerëve të lartë të sigurisë për të shmangur përplasjen fizike.
Pjesë e revoltës ishte edhe Fotaq Strakosha, legjenda e portës shqiptare që është i ati i Thomas. Për fat gjithçka u davarit aty për aty dhe nuk pati asnjë përleshje.