Kanë nisur përgatitjet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës nga kthesa e Kamzës deri në nyjën e Kasharit.
“Tabelat e punimeve tashmë janë vendosur në autostradë dhe sipas kontratave të lidhura i gjithë zgjerimi, që përfshin 6 km rrugë, do të përfundojë brenda 2 viteve”, raporton gazetarja e Tv Klan, Dorina Halili.
“Faza përgatitore nënkupton piketimin, mobilizimin e kantierit, me evidentimin e problematikave të infrastrukturës nëntokësore. Këto ditë pritet të nisin me intensitet ndërhyrjet e parashikuara”, thotë Gëzim Noni, përgjegjës i Menaxhimit të Kontratave në ARRSH.
Zgjerimi i rrugës me nga dy korsi për secilën anë nuk prek asnjë banesë private, por vetëm 2-3 biznese.
“Zgjerimi konsiston në hapjen e një korsie të plotë 3,75 m dhe korsia e emergjencës 3 m, pra në total do kemi tre korsi hyrëse dhe dalëse plus emergjencat”, shprehet Noni.
“Në periudhën jashtë sezonit veror në këtë autostradë kalojnë 90-100 mijë mjete në 24 orë. Për të shmangur trafikun e rënduar ARRSH thotë se korsitë ekzistuese nuk do të bllokohen”, shton gazetarja Halili.
“Korsitë ekzistuese do të jenë të lira, vetëm do kufizohet shpejtësia. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës”, thotë Noni.
Kostoja totale për zgjerimin e rrugës për një afat deri në 24 muaj është 34 milionë euro. Ndërhyrje do të ketë edhe në rrugën ekzistuese. Në përfundim të punimeve shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 130 km për orë.