Me mbarimin e sezonit të plazhit dhe me afrimin e Vjeshtës, në Shqipëri po dominon një tjetër lloj turizmi. Për tur-operatorët tashmë ka nisur piku i sezonit për turizmin kulturor, por nuk mbetet pas as ai malor.
“Jemi në pikun e sezonit. Nga fillimi i Shtatorit deri në Nëntor janë grupet turistike të moshave të treta, më teper frekuentojnë vendet kulturore, aktiv është edhe turizmi malor”, shprehet Xhimi Lama, kryetar i tur-operatorëve për turizmin hyrës.
Krahasuar me një vit më parë pohohet një rritje e interesit të të huajve për të vizituar qytetet kryesore të Shqipërinë përgjatë Vjeshtës.
“Sa i përket rezervimeve, kemi 20% me shume turistë për pjesën kulturore. Fillojnë me Tiranën, Berati, Butrinti, Gjirokastra, Shkodra, Pogradeci”.
Ndërsa turizmi malor është më i përqëndruar në veri të vendit.
“Më shumë të theksuar grupet e aventurës janë në Veri, përfshirë Valbonen, Thethin, Vermoshin, Lëpushën”.
Gjeografia e turistëve është zgjeruar deri në Australi, Zelandë dhe Amerikë, por pjesa më dërrmuese që viziton tregun shqiptar në Vjeshtë janë nga Gjermania, Austria, Anglia apo Franca.