Bombardimet ruse kanë shkatërruar rreth 50 për qind të kapaciteteve të Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike që nga fundi i marsit, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ndërsa vendi përballet me një krizë të madhe energjetike, Ukraina i është drejtuar kompanisë amerikane energjetike Westinghouse, për ndihmë në zhvillimin e reaktorëve bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, që do të plotësojnë nevojat e saj për energji elektrike.
Përpara agresionit të Rusisë në vitin 2022, energjia bërthamore plotësonte gjysmën e nevojave të Ukrainës, dhe Kievi varej nga Moska për karburant dhe shërbime bërthamore. Lufta i dha fund kësaj varësie dhe tregtisë mes dy vendeve. Zelensky tha se që nga fundi i marsit, sulmet ruse kanë shkatërruar rreth gjysmën e kapaciteteve të vendit për të prodhuar energji elektrike.
“Situata e burimeve energjetike të Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga pushtimi i centralit bërthamor Zaporizhzhia, pushtimi i pothuajse një të tretës së infrastrukturës së energjisë së gjelbër dhe shkatërrimi i një pjese të madhe të aftësive të prodhimit të energjisë termike”, tha Stanislav Ignatiev nga Shoqata Ukrainase e Energjisë së Rinovueshme.
Në centralin bërthamor Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore, punonjësit po ndërtojnë dy reaktorë të rinj bërthamorë me ndihmën e gjigantit amerikan të energjisë, Westinghouse.