Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë sot, për të gjithë punonjësit që kujdesen çdo ditë që Tirana të jetë e pastër. Duke lajmëruar nisjen e një aksioni të madh pastrimi nga kompania publike Eco Tirana, e cila do të shtrihet në të gjitha zonat, edhe jashtë qendrës, që deri dje ishin në administrim të kompanive private, Veliaj tha se me kalimin e emergjencës së krijuar, bashkia do të rrisë pagat dhe shpërblimet për punonjësit.
“Ajo që Tirana na e dha me 60 mijë vota diferencë është kjo skuadër, është ky ekip, janë këta njerëz të mrekullueshëm. Ajo që ka ndryshuar masivisht është mënyra si ne i trajtojmë punonjësit tanë. Punonjësit tanë kanë punuar edhe më përpara për kompanitë private, por punonin në të zezë. Shkonte i merrte administratori lekët te bankomati dhe punëtorit i jepte vetëm gjysmën sepse gjysma tjetër u shkonte pronarëve. Një nga gjerat që kemi luftuar është edhe puna në të zezë e atyre që bëjnë një nga punët më të ndershme dhe më të vështira të qytetit, punën e pastrimit. Ndaj, do të vazhdoj të përpiqem që, pasi të kalojmë këtë emergjencë, të vazhdojmë me rritjen e rrogave, të vazhdojmë me shpërblimet për Vitin e Ri, për të gjithë punonjësit e Eco Tiranës, të cilët bëjnë punën më të vështirë. Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve në këtë situatë kritike që po kalojmë, por unë jam i bindur se siç kemi menaxhuar çdo krizë, do e menaxhojmë edhe këtë me shumë sukses”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë siguroi se pavarësisht kësaj situate, qyteti nuk do të dorëzohet dhe puna do të vijojë me të njëjtin ritëm si ditën e parë. “Dua që sot t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të fokusohemi sidomos në zonat e reja që kemi marrë në administrim, ta kalojmë këtë situatë emergjence, dhe teksa vijnë mjetet e reja me kazanët e rinj, do të vazhdojmë ta mirëmbajmë territorin, por mbi të gjitha do i tregojmë qytetit të Tiranës se nuk dorëzohemi, do të punojmë si ditën e parë, dhe do ta bëjmë këtë qytet xixë”, tha Veliaj.