Dy vite më parë Enver Balla festonte i lumtur me familjarët ditëlindjen e tij të 60-të.
Askush nuk mund ta imagjinonte se sot ai do të gjendej i vdekur, i ekzekutuar nga vetë djali tij, ndërsa shikon këto pamje, ndërsa ai mban një torët në duar, surprizë nga familjarët.
Enver Balla u ekzekutua me armë zjarri nga djali i tij Esmerald Balla dhe më pas u hodh në një pus 1 km nga vendngjarja.
Ai e denoncoi të zhdukur, ndërsa trupi i tij u gjet 20 ditë më pas. Dyshohet se Esmeraldi nuk ka vepruar i vetëm, por me të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë.
Dinamika e krimit horror në Shënavlash të Durrësit
Esmerald Balla, 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij ishte larguar nga banesa me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, djali ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit konkretisht shtetasi Esmerald Balla, 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.
30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë me armë zjarri tip pistoletë.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka gjetur trupin e shtetasit E .B., dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Trupi i 62-vjeçarit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit për ekzaminim mjeko-ligjor.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.