Me tensione u prit në Gjykatën e Apelit vendimi për të dënuar Ervin Salianjin, teksa kolegët e tij deputetë hodhën akuza drejt gjykatës. Në seancë për të mbështetur Salianjin ishin 17 deputetë të PD-së, ku Gazment Bardhi i revoltuar akuzoi gjyqtarin e çështjes se bëri pazar. Kreu i grupit parlamentar të PD-së akuzoi se dëshmitarët ishin të rremë dhe gjjyqtari Gent Shala dënoi deputetët e opozitës në këmbim të shkuarjes në Gjykatë të Lartë.

Gazment Bardhi: Se do shkojë Gent Shala në Gjykatë të Lartë, kupton? Dhe mendon se do e mbështesë Fatmir Xhafa. Kjo është vendimmarrja e Gjykatës së Apelit. Merr dy dëshmitarë të rremë si gjyqet politike, dëno deputetët e opozitës në këmbim të shkuarjes në Gjykatë të Lartë. Ta harrojë që do të shkojë në gjykatë të lartë, ai dhe në tjerët.

Ndërkohë vetë Salianji qëndroi i heshtur në gjykatë. Pas vendimit të Gjykatës, në një prononcim për mediat e pranishme, drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Salianji e cilësoi vendimin si “politik” dhe sulm ndaj opozitës para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Ndër të tjera në fjalën e tij, demokrati shtoi se është gati që të kryejë dënimin, duke shtuar me ironi se është ndëshkuar për “agjitacion dhe propagandë”.

SHIH VIDEON

Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike.