SPARTAK TOPOLLAJ/ KUSH ISHTE GËBELSI?
PAUL JOSEPH GOEBBELS, (29.10.1897 – 01.05.1945)
Një nga hierarkët më të lartë nazistë, që për 20 vite ishte Gauleiter i Berlinit (Kryetar partie dhe pushteti, 1926-1945) dhe njëkohësisht ministër i Propagandës dhe Informacionit të Rajhut të Tretë nga 1933-1945, zgjedhur personalisht nga Hitleri për oratorinë e veçantë dhe demagogjinë e rafinuar, kombinuar kjo me aftësinë e suksesshme, për të bindur kombin gjerman në superioritetin e racës ariane! Figurë sa apokaliptike, aq edhe fanatike e besnike ndaj Fyhrerit, të cilin e ndoqi deri në fundin tragjik, me vetëvrasjen e tij, të bashkëshortes Magda dhe gjashtë fëmijëve të tyre, pagëzuar nga Fyhreri vetë: Helga Susanne, Heidrun Elisabeth, Holdine Kathrin, Helmut Kristian, Hedwig Johanna dhe Hildegard Traudel, më 1 maj 1945, vetëm 36 orë pas vetëvrasjes së Fyhrerit dhe Eva Braunit, të dashurës proverbiale dhe bashkëshortes së minutave të fundit, me të cilin nuk pati fëmijë kurrë ngaqë vuante nga sëmundja kogjenitale monorhizmi, në bunkerin e Kancelarisë së Rajhut dhe marrjes nga Hitleri të detyrës së Kancelarit në grahmat e fundit të regjimit nazist vetëm për ato 36 orë?!
Gëbelsi kishte tentuar edhe njëherë më parë vetëvrasjen, por aso kohe, për motive krejt të tjera! Ai kishte rënë çmendurisht në dashuri me artisten bukuroshe të filmave, çeken Lida Baarova (Ludmila Babkova, 1914-2000 ), me histori lidhjesh të shumta, që ishte transferuar në Berlin. Magda deshi ta divorconte, por s’e lejoi Hitleri, madje ai i refuzoi edhe dorëheqjen Gëbelsit dhe kërkesën për largimin e tij në Japoni me Lidushkën e tij! Ai vendosi kontrollin total, censurën e rreptë në kulturë dhe art, aq sa u quajt “diktatori i kulturës”! Ai i shpalli luftë totale artit dhe kulturës së “degjeneruar”, në mbrojte të artit dhe kulturës naziste! Shkencën hebraike, masonët dhe propagandën bolshevike i urrente me bindje! Ai organizoi deri dhe djegien publike të librave të ndaluar, pa reshtur të propagandojë kultin dhe mitin e Hitlerit!
KUSH ISHTE ZHDANOVI?
ANDREJ ALEKSANDROVIÇ ZHDANOV (1896-1948)
Bolshevik qysh nga 1915, ai falë përkushtimit leninist dhe aftësisë për të folur dhe shkruar bukur (natyrisht plot demagogji), nisi karrierën partiake dhe shtetërore në periudhën staliniste dhe mbërriti deri numri 2 në parti, i ngarkuar me ideologjinë, agjitacionin, propagandën, artin, kulturën dhe sportet! Tezat dhe pikëpamjet e tij antiperëndimore në art e kulturë, kulmuan me fjalimin e tij në Kongresin e XVII të PK të BS, më 29 janar 1934, vlerësuar shumë nga Stalini dhe të tjerët! Po atë vit, më 17 gusht, Zhdanovi përpunoi dhe hodhi tezat e artit dhe kulturës së “realizmit socialist”, në Kongresin I të Shkrimtarëve sovjetikë, teksa i thurte elozhe atyre me përcaktimin e Stalinit, si “inxhinierë të shpirtrave njerëzorë”!
Ai luajti rol të veçantë në rritjen drastike të Kultit të Individit të Stalinit dhe tregoi zell të papërmbajtur në spastrimet e mëdha, gjyqet, dënimet dhe ekzekutimet e qindra-mijëra komunistëve në parti, e miliona të tjerëve në fshatra e qytete, para, gjatë dhe pas Kongresit XVIII të saj, mbajtur nga 10 – 21 mars 1939, madje duke bërë edhe një autokritikë të “shëndoshë”, në fakt të djallëzuar e hipokrite, tipike kjo për marksistë – leninistët bolshevikë! Ai sulmoi egërsisht poetet Anna Andrejeva Ahmatova, Marina Ivanovna Cvjetajeva, shkrimtarin satirik Mikhail Mikhaijloviç Zoshçenko dhe nuk la pa kritikuar pas vdekjes, deri edhe Vladimir Vlladimiroviç Majakovskijn, që kish vrarë veten qysh më 1930, e po ashtu edhe Sergej Aleksandroviç Jesjeninin, që pati të njëjtin fund, qysh më 1925! Zhdanovi ishte ndër drejtuesit kryesorë të qëndresës heroike 872-ditore të Leningradit të rrethuar nga hitlerianët gjatë Luftës së Dytë Botërore!
Fill pas Lufte konservatorizmi bolshevik stalinian i Zhdanovit erdhi duke u ashpërsuar, me luftën kundër influencës perëndimore në kulturën sovjetike, gjoja në emër të luftës kundër dekadentizmit dhe pesimizmit kapitalist?! Më 1946, ai kritikoi ashpër filozofin e shquar liberal marksist sovjetik, Georgij Fjodoroviç Aleksandrov (1908- 1961), i cili ia hodhi paq dhe pas vdekjes së Stalinit e Zhdanovit, u bë edhe ministër Kulture i BRSS! Më 20 shkurt 1948 “zhdanovshçina” (doktrina Zhdanov apo zhdanovizmi) u përqendrua të kritikonte ashpër edhe formalizmin në muzikë, përfshirë dhe veprat e kompozitorëve të mëdhenj me famë botërore, si Sergej Sergejeviç Prokofjev, Dmitri Dmitrijeviç Shostakoviç, Aram iljiç Kaçaturjan etj., etj.!
Me këtë frymë u zhvillua në prill të 1948, edhe një Kongres special i Sindikatës së Kompozitorëve Sovjetikë, pas të cilit, Zhdanovi shkroi madje deri edhe një pamflet satirik, ku mbronte vetëm muzikën e epokës sovjetike! Fill pas vdekjes së tij më 31 gusht 1948, pas një arresti kardiak (infarkt akut i miokardit) nga mbipesha dhe alkooli me tepri, si e gjithë udhëheqja sovjetike, Stalini iu imponua së bijës Svjetllana Allilujeva, (disidente e babait monstër) më 1949, të martohej me djalin e Zhdanovit, Jurin (1919- 2006), të cilët edhe pse u bënë me vajzë, Jekaterinën, martesën e prishën pas një viti më 1950! Shkurt, Zhdanovi, ashtu si Gëbelsi për nazizmin dhe Hitlerin, bëri të njëjtën apologji për bolshevizmin dhe Stalinin! Ata të dy ngritën kultin e dy liderëve kriminalë dhe për vite me radhë, iu zbrazën trutë nga koka miliona e miliona njerëzve, se s’mund të themi iu a shpëlanë trutë njerëzve, se njerëzit, ose kanë ose nuk kanë tru, se trutë nuk janë ndërresa që lahen dhe shpëlahen!
PO ALEKSANDAR VUÇIÇ KUSH ËSHTË DHE PSE ME GËBELSIN DHE ZHDANOVIN JANË TRINJAKË?
Aleksandar Angjelko Vuçiç
1970 u lind në Beograd ku edhe u diplomua.
Bashkëshorte e parë e tij (1997-2011) ishte Ksenia Jankoviç Vuçiç, gazetare, që ka ndërruar jetë më 2022, me të cilën ka dy fëmijë, vajzën Milica dhe djalin Danillo (një huligan ekstremist, ultras i Crvena Zvezdës)! Bashkëshorte aktuale, pra Zonjë e Parë, është Tamara Gjukanoviç Vuçiç, 43-vjeçare, diplomate në MPJ. Ata kanë djalin Vukan, por ajo ka edhe një vajzë më parë, Darja Tadiç! Vuçiç e nisi punën gazetar, si reporter lufte në Bosnjë më 1992 dhe hyri në Partinë Radikale Serbe të kriminelit të luftës Vojisllav Sheshelj, parti nacionaliste e ekstremit të djathtë më 1993, duke u zgjedhur edhe deputet i kësaj partie në Kuvendin (Skupshtina) e Serbisë.
Më 1995 zgjidhet sekretar i kësaj partie! Më 1998, partia e tij hyn në koalicion qeverisës me Partinë Socialiste Serbe të Presidentit famëkeq, kryekasapit të Ballkanit Sllobodan Milosheviç, i cili bashkë me kryeministrin Mirko Marjanoviç, i ofrojnë postin jorastësor të ministrit të (dez)Informacionit dhe Propagandës, çka dhe e bëri “mirë” qysh herët, kur Serbia pas luftës, gjenocidit dhe masakrave në Kroaci e Bosnje-Hercegovinë, agresoi kriminalisht me armatën, milicinë dhe paramilitarët “Tigra” të Arkanit, edhe Kosovën! Pikërisht në këtë kohë Vuçiç propozon një ligj, që Kuvendi i Serbisë, Milosheviçi dhe Marjanoviçi do ta miratonin menjëherë, sipas të cilit sanksionoheshin rëndë mediat kundërshtare me regjimin, gjë që detyroi BE ta fusë Vuçiçin në “black list”! Kërcitën gjobat e papërballueshme për mediat vendase dhe gazetarët vendës, që shkruanin kundër Sllobodanit, madje, u kërcënuan me jetë disa syresh! Gazetarët e huaj u konsideruan “spiunë”!
Qysh në korrik të 1995, pak ditë pas masakrës së Srebrenicës, ku u ekzekutuan 8.000 myslimanë nga ushtria serbo-boshnjake e Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit, ishte ky Vuçiç, që kërcënonte se, nëse vritet 1 serb, ne do të vrasim 100 myslimanë! Ndërkohë mediat serbe proregjim, nën kujdesin e Vuçiçit shpërthyen propagandën nacional-shoveniste dhe të diskriminimit e fajësimit të pakicave kombëtare! Po më 1998, me nismën e Vuçiçit miratohet një tjetër ligj kundër lirisë së shtypit dhe mediave audiovizive, më i ashpëri në Europë, që detyroi të reagonin fort dhe menjëherë, edhe “Human Right Watch”, mbasi veç gjobave të rënda ndaj mediave në rast mospagimi menjëherë, ato konfiskoheshin nga shteti! Këtë represion të paparë të regjimit, njohu Kosova, kur të gjitha Institucionet e Pavarura dhe mediat u morën nën kontrollin qeveritar ushtarako-policor të Beogradit, fill pasi NATO kërcënoi për ndërhyrje ushtarake (shtator-tetor ’98), nën pretekstin absurd, se gjoja ato dezinformonin opinionin, duke mbrojtur të vrarët, që gjoja ishin vetëm “terroristë”?!
Ndërkohë, gazetarëve nga vendet e NATO-s, iu urdhërua largimi i menjëhershëm nga vendi! Kulmi ishte kur po ky Vuçiç, pas bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, përfshi Beogradin, në mars 1999 thirri në kryeqytet redaktorët e mediave, duke i urdhëruar që të publikojnë vetëm ato lajme dhe informacione që miratoheshin më parë nga ministria e tij. Për vite me radhë, Vuçiç mbrojti krimet gjenocidiale të serbëve në Bosnje dhe liderët kriminelë, Karaxhiç dhe Mlladiç, të dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe burgosur në Scheveningen! Vetëm më 2014, ky politikan kamaleon ka pranuar se ka gabuar dhe se ka ndryshuar mendim, edhe pse shenjat e “pendesës” i kish shfaqur pak më herët, më 2010 dhe 2012!
Pas humbjes së rëndë të Jugosllavisë së mbetur në luftë me NATO-n, UÇK-në e heroit Adem Jashari, FARK-un e LDK-së së Presidentit legjendar, Ghandi i Ballkanit dr. Rugova dhe gjithë popullin e Kosovës, partia e Vuçiçit humbi edhe zgjedhjet e vitit 2000 dhe doli në opozitë. Vuçiç rizgjidhet deputet më 2003, por humbet në Zgjedhjet Lokale të 2004, teksa kandidoi për kryebashkiak të Beogradit, përballë fituesit Nenad Bogdanoviç i Partisë Demokratike, si edhe më 2008 përballë Dragan Gjilasit, po i PD-së. Dënimi i Shesheljit në Hagë dhe kontradiktat brenda Partisë Radikale Serbe, çuan në shkëputjen e Vuçiçit dhe Tomislav Nikoliçit prej saj e pak më vonë, në krijimin prej tyre të Partisë Progresiste të Serbisë (SNS). Zgjedhja e Nikoliçit si kreu i shtetit më 24 maj 2012, i hapi rrugë Vuçiçit të dalë në krye të Partisë Progresiste më 29 Shtator 2012, me Jorgovanka Tabakoviç si zëvendëse! Në Qeverinë de jure Daçiç, de facto Kryeministër ishte Vuçic (zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes ), i cili u zotua se do të luftonte me forcë korrupsionin , privatizimet e dyshimta dhe lidhjet politikë-biznes-krim, por ndodhi e kundërta dhe sipas “Transparency International” e “Center for Investigative Journalism”, beteja kundër korrupsionit, në praktikë u kthye në shou vetëm me arreste para kamerave dhe njoftime shtypi! Pas Zgjedhjeve të parakohshme, ku fiton partia e tij SNS (Srpska Napredna Stranka) më 27 prill 2014, Vuçiç bëhet kryeministër edhe de jure, pas aleancës me socialistët.
Në 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më 11 korrik 2015, ku po merrte pjesë si i “penduar”, desh e mbytën në gurë familjarët e boshnjakëve të vrarë dhe vetëm badigardët e forcat speciale të sigurisë e shpëtuan, duke e larguar nga ceremonia! Edhe në zgjedhjet e tjera, po të parakohshme të 24 prillit 2016 SNS e Vuçiçit fitoi, por mori goxha më pak deputetë se më 2014. Pas marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur me rolin e BE dhe SHBA, Vuçiç duke vizituar Kosovën e Veriut, iu tha serbëve të atjeshëm: “Lëreni të shkuarën të ikë, mendoni për të ardhmen”! Kanë kaluar 10 vite qysh atëherë dhe asgjë s’ka ndryshuar, pra kjo ishte demagogjia e radhës. Më 10 nëntor 2014, 68 vite pas vizitave të stërzgjatura të Enver Hoxhës që zdërhallej më 1946 nëpër gjithë Jugosllavinë e Titos (vetëm në Kosovë jo!), Serbinë e vizitoi Edi Rama, që habiti çdo shqiptar, të madh e të vogël, teksa e quajti Vuçiçin, miku im Aleksandër, paçka se edhe emrin nuk ia thotë saktë, siç edhe e ka, Aleksandar! Ku shkuan 13.000 të vrarët, 20.000 femrat e përdhunuara, 1.600 ende të pagjeturit, krimet dhe masakrat gjenocidiale të serbëve si ajo e Reçakut, Koshares dhe Prekazit, të heroit legjendar Adem Jashari, familja e të cilit, rreth 50, me gra, pleq e fëmijë u masakrua etj., etj. prej Milosheviçit, Vuçiçit dhe Arkanit, lë të na e thotë Rama dhe miku i tij serb!
Të mos harrojmë se kjo vizitë e Ramës në Beograd u bë vetëm tri javë pas çmendurisë dhe histerizmit primitiv e shoven serb në ndeshjen e futbollit mes përfaqësueseve të Serbisë dhe Shqipërisë në Stadiumin e Armatës (JNA – apo Partizan), ku një nga të pranishmit isha edhe unë vetë, që përjetova ‘live’, se deri ku mund të shkojë indoktrinimi dhe urrejtja e turmave të nxitura nga arkaizmi, të cilin autorët, serbët pra, që e shkaktuan, e paguan me shkualifikim dhe në “Euro 2016” në Francë, shkuam ne. Trojkën Nikoliç-Vuçiç-Daçiç, që nxinin në fytyrë aty në kolltukët e tribunës VIP, i kisha rreth 10 metër afër. Më 27 maj 2015, Vuçiç, “miku” serb, i kthen vizitën Ramës në Tiranë, duke u bërë i pari lider i Jugosllavisë dhe Serbisë që viziton Shqipërinë. Ndërkohë, Serbia acaron marrëdhëniet me Kroacinë, pjesë e BE, e cila kundërshton të pranojë një Serbi të pademokratizuar të bëhet pjesë e BE. Shkëmbimi i këtyre vizitave i shkon për shtat shprehjes sonë sinjifikative: Ku ishe? Hiç gjëkundi! Çfarë more? Hiçgjësendi! Edhe “Ballkani i Hapur”, ide putiniane e Vuçiçit, përkrahur e propaganduar fuqishëm nga Rama, dështoi me sukses të plotë se e refuzoi SHBA dhe BE (sidomos Gjermania).
Migracioni i pakontrolluar dhe vendimi gjyqësor për Shesheljin, shërbejnë si pretekst. Por Serbia ka probleme pothuaj edhe me të gjithë fqinjët e saj, si me Maqedoninë, Malin e Zi etj., etj., ndërkohë që me një idiotëri politike vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të saj, paçka se ajo qysh prej 1999 ishte çliruar prej Serbisë, qysh prej 17 shkurtit 2008 ishte shpallur e pavarur, qysh më 2010 GJND njohu të drejtën dhe ligjshmërinë e Kosovës për pavarësi, të cilën, ia njohën edhe 116 shtete, përfshi SHBA dhe 22 nga 27 vendet e BE. Duhet theksuar roli i Qeverisë Demokratike shqiptare të prof.dr. Berishës dhe diplomacisë së saj në këto njohje, kur në 11 vite të qeverisjes socialiste të Ramës, nuk kemi ende asnjë të tillë. Për më keq akoma, marrëdhëniet e kësaj qeverie me qeverinë e Kryeministrit dinjitoz Kurti janë në pikën më të ulët në këto 25 vitet e fundit. Më 2 prill 2017, Vuçiç është kandidat për president dhe i fiton lehtësisht ato me 56.01% të votave ndaj të dytit, të pavarurit Sasha Jankoviç me 16.83% e pas tij edhe dy kandidatëve të tjerë, satirikut politikan Luka Maksimoviç dhe ish-ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç. Por zgjedhja e Vuçiçit president u shoqërua me protesta të vazhdueshme dhe të fuqishme prej opozitarëve të regjimit sidomos, kur postit ceremonial dhe honorifik të Presidentit (Serbia – Republikë Parlamentare), ai po i atribuonte me amendamente kushtetuese dhe artifice modifikuese të saj, kompetenca të Legjislativit dhe Ekzekutivit. (Në Shqipëri këto 11 vitet e fundit, po ndodh e kundërta, teksa Kryeministri i ka marrë të gjitha kompetencat Presidentit, natyrisht me miratimin plot ‘dëshirë’ të mazhorancës, duke u kthyer në një Luigj XIV të ditëve tona, me moton proverbiale “L’Etat C’est moi” (Shteti jam unë)! A thoni të jetë krejt rastësi, kjo ngjashmëri mes dy miqve të mirë, Rama dhe Vuçiç?!
Më 2013, Hashim Thaçi bëri gabime të rënda në dëm të Kosovës, teksa pranoi kushte gati poshtëruese në Marrëveshje me Vuçiçin, i cili si i djallëzuar që është, e nxori zbuluar Thaçin, teksa kamerat dhe mikrofonat regjistruan me figurë dhe zë në podiumin e një paneli, ku i kishin vendosur ngjitur me njëritjetrin, në të cilin ai e urdhëron Thaçin: “”Mos fol për ato çka kemi biseduar dhe jemi marrë vesh bashkë”! E pafalshme edhe dhënia 8.000 ha tokë e Kosovës, Malit të Zi (Thaçi-Haradinaj)! Me fitoren bindëse të Zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, nga Vetëvendosja e Albin Kurtit punët ndryshuan! Albin Kurti, edhe pse s’u lejua të kandidojë për deputet, u votua në Kuvend dhe u zgjodh Kryeministër, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani, e kandiduar po nga LVV, mori 300.788 vota! Sovraniteti i Kosovës mbetet prioritar për qeverinë “Kurti”, e cila patjetër vlerëson lartë rolin e SHBA, NATO-s dhe BE në çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, dhe praninë e garancinë e tyre për sigurinë e saj (KFOR, EULEX etj.), por me të drejtë, kërkon reciprocitet me Serbinë, nëse ajo vërtetë e do një marrëveshje serioze me Kosovën, duke nisur nga njohja e ndërsjellë.
Çuditërisht, ka ardhur duke u shtuar presioni i Brukselit (BE dhe NATO), por edhe nga Administrata sorosiane amerikane, ku dukshëm dallon zelli i DASH, me Sekretarin Blinken, Ndihmës zëvendëssekretarin Xhejms O’Brajan, apo edhe të dërguarin e ri të posaçëm për Ballkanin, Aleksander Kasanof Qeverisë Kurti, që ajo të mos marrë veprime, të cilat mund të rrezikojnë ekuilibrat dhe situatën, gjithsesi të brishtë në Kosovë! Janë të njohura lojërat dinake viktimizuese të Serbisë, sipas të cilave serbët po persekutohen në Kosovë nga shqiptarët! Absurde kjo! Ç’është ky Asociacioni i Komunave serbe në Veri të Kosovës dhe pse nuk kërkohet kjo edhe për Komunat Shqiptare në Serbi: Preshevë, Medvegjë, Bujanoc!
Si u lejuakan Komuna paralele ilegale serbe në Mitrovicën e Veriut, pjesë integrale dhe e patjetërsueshme e Republikës së Kosovës! Pse të mos hapet Ura e Ibrit në Mitrovicë edhe për automjetet, se në botë, urat ndërtohen për tu lidhur e bashkuar, e jo për tu ndarë?! Pse kaq shumë zhurmë për targat e makinave, të cilat duhen lëshuar nga autoritetet policore të Kosovës, për të gjithë shtetasit e saj, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo serbë, pra duhet reciprocitet?! Ç’janë këto Banka Serbe që u dashkan lejuar, nën pretekstin se aty dërgohen dinarët, që Serbia ua çon shtetasve kosovarë me kombësi serbe?! A nuk shkëmbehen dot dinarët me euro (monedha europiane që përdor Kosova), sipas kursit zyrtar atje! Pse u dashkan Postat Serbe në Kosovë, kur ajo ka një shërbim bashkëkohor postar të standardit europian?! A ka kuptim shprehja tejet e konsumuar dhe e bërë bajate e ndërkombëtarëve se qeveria “Kurti” s’duhet as frymë të marrë pa u konsultuar dhe u koordinuar me ata, mbasi rrezikohet stabiliteti, deri edhe jeta e ushtarëve të NATO-s?! Për Serbinë e Vuçiçit dhe serbët, do të ishte naive të mendohej, se në zemrat e tyre nuk ndodhet mëma Rusi, sidomos Rusia e Putinit, këtij neostalinisti gjoja i sofistikuar, të cilin Vuçiçi e vlerëson, e imiton dhe e kopjon deri në detaje! Loja me dy porta e Serbisë, mes BE dhe Rusisë, ngjan me një histori proverbiale tonën ,të asaj nuses së re, që synonte: edhe të mamaja të ishte, edhe burrin ta kishte! Bashkëpunimi me Rusinë, në të gjitha fushat, sidomos në atë ushtarake, edhe pas agresionit rus në Ukrainë, kur Serbia nuk pranon asnjë sanksion ndaj Rusisë, ka domethënie mëse të qartë, ndaj çdo iluzion gjerman i Kancelarit Olaf Scholz, se Vuçiçi ka ndryshuar (pavarësisht interesit për litiumin) ngjan tejet naiv!
Sa për Francën, e Presidentit Emmanuel Jean-Michel Frédéric Macron, historikisht mike me Serbinë, do të zgjatemi pak më tepër tani në fund të këtij shkrimi. Duke mos e mohuar rolin e Francës dhe Presidentit të shquar Zhak Shirak, që miratoi deri edhe bombardimin e Beogradit në Pranverën e 1999, duhet të pohojmë se një nostalgji për interesat dhe miqësinë e hershme reciproke vazhdon të ekzistojë! Francën dhe ekonominë e saj të fuqishme me 3 trilion dhe 3.7 trilionë euro PPB në të dy variantet, e shtata në botë nuk e lëkundin Metroja 4 miliardë euro e Beogradit po s’u bë apo 2.7 apo 3 miliardë eurot e 12 avionëve “Rafale”, prodhuar nga “Dassault Aviation”, që do i shiten Serbisë! (kostoja e një avioni të tillë jepet deri 70 milionë euro, ndaj s’kuptohet pse 12 të tillë kushtojnë gati 3 miliardë.) Iluzioni se Serbia do kthehet drejt Perëndimit, ngjan me ata që besojnë se Hëna është Dielli! Po ashtu, edhe Kancelari Scholz nuk do e shpëtojë ekonominë e Gjermanisë duke i blerë Serbisë litiumin e domosdoshëm për prodhimin e baterive të makinave elektrike!
Aleksandar Vuçiç jo vetëm nuk duhet llastuar dhe quajtur partner, por ai duhet të dërgohet në Hagë për gjykim si lideri i tij, kryekasap i Ballkanit, Sllobodan Milosheviç (vdekur në Burgun Scheveningen në Hagë, pak para vendimit të GJND, që pritej ta dënonte me burgim të përjetshëm)! A do ta pranonte populli gjerman (nëse nuk do të vetëvritej ), Gëbelsin për President?! A do ta njihnin për partner presidentët e vendeve demokratike Gebelsin, të cilin Gjyqi i Nyrembergut, do ta dënonte me varje, po të mos vetëvritej?! A mos duhet t’i referohemi gjeniut Kadare, kur paralajmëronte me intuitën e tij unikale, se po shoh shenja pendese të Perëndimit, që bombardoi Beogradin dhe vetë krijesën e tij Jugosllavinë?! Një pyetje, mendoj se i duhet bërë të “demokratizuarit” Vuçiç, kush dhe pse u vranë Zhelko Raznjatoviç Arkan, si edhe Presidentët Aleksander Stamboliç dhe Boris Tadiç, respektivisht në vitin 2.000 dy të parët dhe në vitin 2003 Tadiç! Besoj që ai të dijë diçka më shumë nga Ceca, (Svjetllana Veliçkoviç Raznjatoviç), këngëtarja bukuroshe e Arkan superkriminelit mafioz, të paramilitarëve “Tigra”!
*(Autori: Historian dhe diplomat)