Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zbërthimi i aplikacionit të koduar “Ghost” që përdorej nga grupet kriminale, dhe që çoi në pranga dhjetra persona. Në mesin e personave që janë vënë në pranga është dhe një 36-vjeçar nga Viktoria, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me mafian shqiptare, në trafikimin e një sasie të madhe me kanabis, që kapte vlerën e 1.2 mln dollarëve. Sipas mediave vendase, aplikacioni “Ghost” përdorej për të koordinuar komunikimet sekrete mes anëtarëve të bandës kriminale shqiptare.
Një tjetër lidhje e aplikacioni “Ghost” me Shqipërinë del pas arrestimit të një personi në Itali, i cii sipas oficerit të policisë Leonardo Lando, kishte lidhje edhe më Shqipërinë. Personi në fjalë ishte në kërkim që prej vitit 2023, dhe dyshohet se ka pasur “një rol të madh” në Sacra Corona Unita.
“Për shkak të gjeografisë, afërsia e Shqipërisë me këtë zonë është shumë thelbësore dhe vendimtare për këtë lloj hetimi”, tha oficeri. “Pra, ne shpresojmë se do të jetë vetëm një fillim për bashkëpunimin e ri të zbatimit të ligjit”, përmbylli Lando.
Administratori i dyshuar i aplikacionit, Jay Je Yoon Jung, 32 vjeç, u paraqit në një gjykatë të Sidneit të mërkurën (18 shtator) me akuza që përfshinin mbështetjen e një organizate kriminale dhe përfitimin nga të ardhurat e krimit. Jung nuk pranoi akuzat dhe nuk aplikoi për lirimin me kusht. Ai do të qëndrojë pas hekurave të paktën deri në muajin Nëntor, kur çështja e tij të rikthehet në Gjykatë.
“Policia australiane arrestoi 38 të dyshuar, ndërkohë që aksioni është zhvendosur dhe në Kanada, Suedi, Irlandë dhe Itali,”- tha zëvendëskomisioneri i Policisë Federale Australiane, Ian Mçartney.
Policia thotë se Jung përdori një rrjet rishitësish për të ofruar aparate të specializuara për kriminelët në mbarë botën. Telefonat inteligjentë të modifikuar u shitën për 2,350 dollarë australianë (1,590 dollarë amerikanë) që përfshinte një abonim gjashtë-mujor në Ghost dhe mbështetje teknike. Më herët autoritetet kanë zbuluar edhe rrjete të tjera komunikimi që përdoren nga kriminelët, si SKY EÇ dhe Encrochat. Falë këtyre zbërthimeve, dhjetra persona janë arrestuar dhe janë nën hetim edhe në Shqipëri.