Nga Aladin Stafa
Ndërsa kanë mbetur edhe dy javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Austri, kanditatët e partive politike më të mëdha bashkë me stafet e tyre shihen kudo teksa shpalosin programet e tyre respektive.
Austria njihet për shoqërinë e saj të ftohtë e të distancuar thuajse plotësisht nga politika e rrjedhimisht për një jetë parlamentare të qetë, ku projekt-idetë dhe vendimarrjet më së shumti dëgjohen, diskutohen dhe nuk përcmohen.
Por sigurisht një situatë të tillë mbarëvajtjeje e sjell sistemi i konsoliduar fort tek tradita dhe trashëgimia politike e këtij vendi, atë që njerëzit votojnë të lirë pa pasur frikë se vota e tyre nuk u numërohet, pa pasur frikë të jenë edhe indiferentë ndaj politikës dhe se cfarë do të ndodhte me ta në 5 vitet e ardhshme.
Megjithëse statistikat tregojnë se Viena vazhdon të mbajë vendin e parë prej disa vitesh si kryeqyteti me standartin më të mirë të jetesës në botë, gara elektorale mes partive politike duket se po përqëndrohet në disa pyetje;
– Cfarë mund të bëhet më mirë?
-Cfarë duhet bërë për të ruajtur këtë nivel?
Dihet fare qartë se për të shkuar drejt suksesit është më e thjeshtë se për ta mbajtur atë. Ndaj për ta tejkaluar këtë presion qoftë edhe sfidë cdo kreu të partive politikë që kandidon, i duhet të shpalosë sa më shumë ide me besimin jo vetëm premtues tek populli, që ata të mund t’ia kthejnë me votëbesimin e tyre duke i bindur se secili prej tyre, sipas punës që bën është i duhuri.
Dhe janë pikërisht tetë parti politike që do të plotësojnë listën zgjedhore, tre prej të cilave shihen qartazi më të avantazhuara. Dy prej tyre mund të luajnë rolin e ‘king maker-it’ ndërsa tre të fundit janë pa ndonje pretendim.
Partia në pushtet, ndryshe të ashtuquajturit forca e qendrës ose të kaltrit, me në krye kancelarin Karl Nehammer kanë për qëllim jo vetëm vazhdimin e rrugëtimit të tyre por dhe novitalizimin e tij. Ky i fundit, një figurë njëherazi karizmatike e serioze kandidimin në këtë post e ka për herë të parë pas dorëheqjes që ish-kancelari Sebastian Kurz pak vite më parë bëri duke e zhvendosur atë nga një ministër i brendshëm në udhëheqës të vendit.
Programi i tij është i qartë: për një Austri të qëndrueshme. Vitet e fundit kanë qenë sfiduese, krizat globale si inflacioni dhe pandemia kanë qenë rraskapitëse për njerëzit por duket se ekzekutivi austriak i përballoi me sukses e tanimë është koha për ta bërë të ardhmen më të parashikueshme.
Tre duket se janë pikat kyce të projektit të ri politik të forcës së mazhorancës që qeveris vendin: eficensa/efektiviteti, familja dhe siguria. Reformat dhe subvencionet do jenë mekanizmat që ata kanë gjetur të shkojnë drejt fitores.
Partia e dytë është ajo social-demokrate ose e ashtuquajtur e kuqe me në krye Andreas Babler, e cila si e majtë progresiste që është priret të zhvillojë një politikë më pranë njerzve.
Duke qenë se Austria është një vend me politika të qarta sociale, programi i saj bazohet më së shumti në mbështetjet financiare ku taksa progresive pritet të mbetet një kolonë themelore e programit.
Nuk do të mbetet mënjanë edhe mbështetja ndaj të rinjve dhe respekti për punën i reflektuar në rritje pagash ndaj të gjithë atyre që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Më pas është një tjetër forcë e tretë politike por jo për nga rëndësia, ku sipas sondazheve kuotohet e para në listë dhe është E Djathta Populiste ose të ashtuquajturit blutë me në krye Herbert Kickl.
Ky i fundit një politikan i vecanë për natyrën e qetë austriake. Tonet tij të larta dhe ekstremiste në parlament kanë tërhequr vëmendjen si një zë kundër dhe opozitar. Projekt-plani i tij ka për qëllim një Austri më të mbyllur, të distancuar nga politikat e jashtme europiane apo të një lloj modeli Orban që Hungaria e ka duke formuar sipas tij dhe ´Ishullin Elisium`, që në mitologjine greke njihej si ´Parajsa`.
Nisur nga e gjithë kjo, panorama paraprake na ofron një garë të fortë dhe vështirë të parashikueshme mes këtyre tre partive kryesore ku sa duket se janë larg njëra-tjetrës aq edhe afër në të përgjithshmen e tyre me qëllimin e vetëm për një Austri stabile dhe të qëndrueshme, të fortë e mbi të gjitha të suksesshme.
Kickl ka dalë hapur kundra cdo lloj koalicioni politik edhe nëse do t’i duhet por në politikë ne e dimë se nuk ka koherencë dhe për interesa të caktuara kompromiset dhe shtrirja e dorës tek kundërshtari mund të jetë një mundësi e artë për të marrë pushtetin.
Fjalën e fundit do ta ketë vota e austriakut ose ´sovrani´ sic quhet ndryshe. Në datën e parafundme të këtij muaji, më 29 shtator do të shohim se cila do të jetë përgjigjja përfundimtare se kush pritet ta qeverisë Austrinë për pesë vitet e ardhshme, pavarësisht faktit se qetësia trashëgon qetësi.