Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen nesër në Berlin të Gjermanisë në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se i pranishëm në samitin e 10-të të Procesit të Berlinit do të jetë edhe kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të 5 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Iniciativa e nisur në vitin 2014 që mori jetë nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel shënon këtë vjeshtë 10-vjetorin.

Në samit do bashkohen edhe zyrtarë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, ndërsa në fokus të samitit do jetë thellimin i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Axhenda e samitit ende nuk është bërë publike, por një media kroate ‘N1 info’ shkruan se në takim do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për një plan të ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.

Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 16 tetor 2023 në Tiranë, për herë të parë jashtë kufijve të BE.

Nisma u iniciua dhe u prezantua më 28 Gusht 2014, nga vetë Kancelarja Gjermane Angela Merkel me një objektiv të qartë: Progres real në procesin e reformave, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe rritja e “bashkëpunimit ekonomik rajonal, duke hedhur kështu bazat për një rritje të qëndrueshme”.